Foto: KALLXO.com

Gjykimi i ish-luftëtarit të UÇK-së për krime lufte, dëshmitari: Remzi Shala ka qenë luftëtar i fortë dhe besnik

Në gjykimin ndaj ish-luftëtarit të UÇK-së, Remzi Shala, i akuzuar për privim nga liria të Haxhi Përteshit, i cili ditë më vonë u gjet i vrarë, sot u dëgjua dëshmitari Fehmi Graishta.

Prokuroria Speciale pretendon se Remzi Shala në qershor të viti 1998 bashkë me disa persona të tjerë – pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas ishte gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Dëshmitari Fehmi Graishta përpara trupit gjykues deklaroi se të akuzuarin Remzi Shala e kishte njohur si një luftëtar të fortë dhe besnik, duke arsyetuar se kishte qenë në vijën e parë të frontit dhe nuk kishte ikur asnjëherë.

Graishta shtoi se të akuzuarin Shala e kishte takuar më 15 qershor 1998 deri sa po zhvilloheshin luftimet në Qafë të Duhlës.

“E kam pa vetëm në përforcime, nuk më kujtohet që e kam pa më herët. Me gjithë që e dinë unë kam qenë në vijën e parë të frontit pa ndërprerë dhe nuk kam pasur as ndërrime dhe ushqimi më ka ardhur në istikame”, tha dëshmitari.

Tutje Graishta sqaroi se ndonëse kishte qenë në pozicionet e para luftarake, si udhëheqës e kishte njohur vetëm “Komandant Gurin”, ndërkaq, Remzi Shalën e kishte njohur vetëm si ushtar.

Dëshmitari deklaroi se i ka takuar Brigadës 121, ku kishte dëgjuar se komandant ka qenë Fatmir Limaj ndërkaq kur kishte shërbyer në pikën e Grajqefcit urdhrat i kishte marrë nga “Komandant Guri”.

Prokuroria Speciale po e akuzon Remzi Shalën se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës të datës 19 tetor 2016, të ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë – pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Sipas Prokurorisë, Remzi Shala, i njohur me nofkën e luftës “Molla e Kuqe”, i armatosur me armë të gjatë dhe me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me 5-6 pjesëtarë të kësaj ushtrie të armatosur e me maska në fytyrë dhe të paidentifikuar deri tani, më 26 qershor 1998 rreth orës 23:00 për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës të Prokurorisë Speciale.

Lidhur me këto akuza, më 3 korrik 2019, Remzi Shala ishte dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 14 vite burgim. https://kallxo.com/shkurt/gjykata-shpall-fajtor-mollen-e-kuqe-per-krime-lufte/

Kurse, nga 14 vite burgim sa ishte gjykuar nga gjykata e shkallës së parë, të akuzuarit Remzi Shala nga Gjykata e Apelit i ishte zbutur dënimi në 10 vite burgim.

Apeli ia zbut dënimin ‘Mollës së Kuqe’, i dënuar për Krime Lufte

Pas këtij vendimi, Gjykata Supreme kishte anuluar këto dy aktgjykime dhe çështja i ishte kthyer Gjykatës së shkallës së parë për rigjykim dhe rivendosje.

Gjykata Supreme kthen në rigjykim rastin e Remzi Shalës “ Molla e Kuqe”

KALLXO.com ka raportuar për rastin në fjalë që nga janari i vitit 2017 dhe dëshmi për rastin ishin dhënë edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Emisionin e plotë për aktakuzën ndaj ish-ushtarit të UÇK-së Remzi Shala mund ta shikoni këtu:

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin ku i akuzuar është Remzi Shala mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK.