Gjykimi i Salih Shalës dhe Nehat Bashës - Foto: KALLXO.com
Gjykimi i dy zyrtarëve të "Eko-Regjionit", mbrojtja kërkon hedhjen e aktakuzës
Salih Shala dhe Nehat Basha, zyrtarë të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Eko-Regjioni”, janë ulur në bankën e të akuzuarve për t’u ballafaquar me akuzat për keqpërdorim të detyrës.
Shala dhe Basha po gjykohen se jashtë procedurave të prokurimit kanë bërë shtyrjen e mbeturinave në deponinë sanitare “Trokan” në Dragash.
Në seancën e sotme, mbrojtësit e të akuzuarve kanë kërkuar hedhjen e aktakuzës dhe provave.
Klodian Krasniqi, mbrojtës i të akuzuarit Salih Shala, kërkoi që aktakuza dhe provat e saj të hidhen si të pabazuara.
Avokati Krasniqi deklaroi se në këtë rast i mbrojturi i tij nuk ka përfituar asgjë.
Kërkesë të njëjtë paraqiti edhe Esat Gutaj, avokat i të akuzuarit Nehat Basha, i cili deklaroi se me veprimet e të akuzuarit nuk janë përmbushur elementet e veprës penale.
Në anën tjetër, prokurori Metush Biraj ka kundërshtuar pretendimet e mbrojtësve pasi, sipas tij, nga provat ekziston dyshimi i bazuar se të akuzuarit janë implikuar në vepër penale.
“Gjykatës i propozoj që të gjitha këto pretendime qoftë të organit të akuzës apo të mbrojtësve të trajtohen në mënyrë analitike gjatë gjykimit për çka edhe i propozoj kryetares së trupit gjykues që të vazhdohet me procedurën gjyqësore”- tha mes tjerash prokurori Biraj.
Ndaj kundërshtimeve të bëra pritet të vendoset ditëve në vijim.
Aktakuza Salin Shalën dhe Nehat Bashën po i ngarkon se si persona zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin nuk i përmbushin detyrat me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojnë dëm tjetrit.
Aktakuza thotë se i pandehuri Salih Shala më 27 gusht 2019 i bën kërkesë të akuzuarit Nehat Basha që jashtë procedurave të prokurimit të bëhet shtyrja e mbeturinave në deponinë sanitare “Trokan” në Dragash.
Sipas Prokurorisë, ky i fundit kërkesën e miraton më 28 gusht 2021, me ç’rast kompanisë KRM “Eko-Regjioni” në Prizren i shkakton dëm material prej 2,700 euro.
Ndërkaq, sipas pikës së dytë të aktakuzës, i pandehuri Nehat Basha akuzohet se nga data 1 janar 2019 e deri më 1 gusht 2020, në kundërshtim me Ligjin e Punës, pa shpallur konkurs publik, lidh kontrata pune për kohë të caktuar, për kohë të pacaktuar ose kontrata pune për detyra specifike.
Në këtë mënyrë të pandehurit kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.