Ngritet aktakuzë ndaj anëtarit të bordit të ndërmarrjes "Eko-Regjioni" në Prizren

Prokuroria në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj anëtarit të bordit të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Eko-Regjioni”, Hazër Tara.

Tara akuzohet për veprën penale mosdeklarim i pasurisë.

Lidhur me këtë akuzë, Hazër Tara e ka pranuar për KALLXO.com se nuk e ka deklaruar pasurinë. Ai ka thënë se gjithmonë e ka bërë deklarimin e pasurisë por vetëm kësaj radhe nga neglizhenca kishte harruar.

“Unë gjithmonë e kam deklaruar pasurinë dhe jam i rregullt, djali im ma bën paraqitjen e pasurisë në kompjuter por kësaj radhe nuk e kam bërë”, deklaroi Tara.

Për akuzën në fjalë Tara shtoi se e ndien vetëm të pafajshëm.

Seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Hazër Tarës do të mbahet me datë 12 tetor 2021 në Gjykatën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Hazer Tara nga data 1 deri më 31 mars 2019, në cilësinë e anëtarit të bordit në ndërmarrjen publike “Eko-Regjioni” në Prizren nuk e ka bërë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë në afatin e rregullt ligjor në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Prishtinë, obligim ky i paraparë për të gjithë zyrtarët e lartë publik, përkundër faktit se ka qenë i informuar paraprakisht dhe në dijeni për obligimin e deklarimit të pasurisë.

Sipas prokurorisë, Hazer Tara, me këto veprime ka kryer veprën penale mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare vepër e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri vite.

KALLXO.com në vitin 2019 e kishte publikuar listën me 13 zyrtarët të cilët nuk e kishin deklaruar pasurinë.

Listës së publikuar nga AKK për zyrtarët që nuk kanë respektuar afatin ligjor të këtij institucioni i prinë Sami Gashi nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Pjesë e listës janë edhe këta zyrtarë të lartë publik: Kastriot Lokaj, Komuna e Deçanit, Riza Abdyli, Komuna e Gjilanit, Arta Gashi dhe Sejdi Kurteshi nga Komuna e Kamenicës, Tush Dedaj, Komuna e Klinës, Visare Gashi dhe Fatmir Morina nga Komuna e Prishtinës, Sinan Alijaj, Komuna e Prizrenit, Trajko Shariq, Komuna e Rahavecit, Beqir Veliu dhe Ismet Salihi nga Komuna e Skenderajt dhe Hazër Tara nga KRM “Ekoregjioni” në Prizren.