Gjykata e Prizrenit e dënon anëtarin e bordit të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Eko-Regjioni”

Anëtari i bordit të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Eko-Regjioni”, Hazër Tara, është dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 500 euro gjobë.

Tara u gjet fajtor për mosdeklarim të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

I akuzuari, në seancën e shqyrtimit fillestar pas leximit të aktakuzës nga ana e përfaqësueses të prokurorisë Merita Kurtishi-Gaga, e pranoi fajësinë dhe deklaroi se gjatë periudhës kur është dashur të bëhej deklarimi i pasurisë ai ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Pranimi i fajësisë nga i akuzuari u mbështet nga prokurorja e rastit, ndërsa u aprovua nga gjykatësi Luan Berisha.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, i akuzuari u dënua me 500 euro gjobë si dhe i njëjti u obligua që të paguajë paushallin gjyqësor në shumën prej 20 euro si dhe 30 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave.

Sipas aktakuzës, Hazër Tara nga data 1 deri më 31 mars 2019, në cilësinë e anëtarit të bordit në ndërmarrjen publike “Eko-Regjioni” në Prizren nuk e ka bërë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë në afatin e rregullt ligjor në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Prishtinë, obligim ky i paraparë për të gjithë zyrtarët e lartë publikë, përkundër faktit se ka qenë i informuar paraprakisht dhe në dijeni për obligimin e deklarimit të pasurisë.

Ngritet aktakuzë ndaj anëtarit të bordit të ndërmarrjes “Eko-Regjioni” në Prizren

Sipas Prokurorisë, Hazër Tara, me këto veprime ka kryer veprën penale mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare vepër e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri vite.

KALLXO.com në vitin 2019 kishte publikuar listën e 13 zyrtarëve të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë.