Shtyhet gjykimi ndaj dy zyrtarëve të ndërmarrjes Eko-Regjioni
Në mungesë të të akuzuarit të mërkurën në Gjykatën e Prizrenit ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj dy zyrtarëve të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Eko-Regjioni” në Dragash.
Salih Shala, si menaxheri i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave ”Eko-Regjioni” në Dragash dhe Nehat Basha, kryeshef ekzekutiv i ”Eko-Regjionit” në Prizren po përballen me akuza për keqpërdorim të detyrës.
Kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha bëri të ditur se gjykata nuk ka provë se i pandehuri Basha është ftuar në mënyrë të rregullt dhe i njëjti kishte ndërruar adresë.
Në mungesë të kushteve ligjore gjykimi i sotëm u shty për datën 25 gusht 2022.
Aktakuza Salin Shalën dhe Nehat Bashën po i ngarkon se si persona zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin nuk i përmbushin detyrat me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojnë dëm tjetrit.
Aktakuza thotë se i pandehuri c më datë 27 gusht 2019, i bën kërkesë të akuzuarit Nehat Basha që jashtë procedurave të prokurimit të bëhet shtyerja e mbeturinave në deponinë sanitare “Trokan” në Dragash.
Sipas prokurorisë, ky i fundit kërkesën e miraton më datë 28 gusht 2021, me ç’rast kompanisë K.R.M. “Eko-regjioni” në Prizren i shkakton dëm material prej 2700 Euro.
Ndërkaq, sipas pikës së dytë të aktakuzës, i pandehuri Nehat Basha akuzohet se nga data 1 janar 2019 e deri më 1 gusht 2020, në kundërshtim me Ligjin e Punës, pa shpallur konkurs publik, lidh kontrata pune për kohë të caktuar, për kohë të pacaktuar ose kontrata pune për detyra specifike.
Në këtë mënyrë të pandehurit kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.