Foto: KALLXO.com

Pretendon se kundërligjshëm iu ndërpre kontrata nga Kompania "Eko-Regjioni", përmes padisë kërkon kompensimin e pagave

Arif Selmanaj ka paditur Kompaninë Regjionale të Mbeturinave “Eko-Regjioni” në Prizren me pretendimin se kundërligjshëm ia ka ndërprerë kontratën e punës.

Përmes padisë të parashtruar në Gjykatën e Prizrenit ai po kërkon kompensimin e pagave.

Të hënën është dhënë fjala përfundimtare nga paditësi dhe i padituri.

Ky rast po gjykohet nga gjykatësi Taulant Rexhëbeqaj.

I autorizuari i paditësit, Arbër Kolgeci, ka deklaruar se pas administrimit të provave është vërtetuar gjendja si në padi.

“Është vërtetuar baza juridike e kërkesë-padisë – fakti se e paditura duhet të obligohet që paditësit t’ia kompensojë shumat si në kërkesë padi ku rezulton se paditësit i është ndërprerë marrëdhënia e punës pa paralajmërim”-ka deklaruar Kolgeci.

Në anën tjetër, i autorizuari i të paditurës, Murtez Rexhepi, në fjalën përfundimtare ka theksuar se komisioni disiplinor i ka shqiptuar masë disiplinore- ndëshkim prej 20% të pagës për muajin shtator 2022 për shkelje të rënda të punës.

I njëjti ka kërkuar që padia të refuzohet si e pabazuar.

“I tërhiqet vërejtja për shkëputjen e marrëdhënies së punës, andaj punëtori është paralajmëruar për shkëputje të marrëdhënies së punës para se të ndërpritet me vendim”- citoi Rexhepi.

Paraprakisht nga palët në proces është bërë leximi i provave.

Pas fjalës përfundimtare, Gjykata ka konstatuar se shqyrtimi në këtë çështje kontestimore ka përfunduar.

Vendimi lidhur me këtë do të merret brenda afatit të përcaktuar ligjor.

Sipas padisë, paditësi me të paditurën ka lidhur kontratë pune në kohë të caktuar nga data 11 shkurt 2022 deri më 31 dhjetor 2022.

E paditura përmes vendimit të datës 19 shtator 2022, ia ndërpret marrëdhënien e punës me arsyetim se i njëjti ka bërë shkelje të vazhdueshme dhe të njëpasnjëshme të detyrave.

Tutje në padi thuhet se brenda 8 dite paditësi ka paraqitur kundërshtim. Në lidhje me këto pretendime i refuzohet ankesa pranë të paditurës, duke e lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Paditësi konsideron se e paditura nuk ka përfillur dispozitat ligjore ngase punëdhënësi është i obliguar ta paralajmërojë për ndërprerjen e kontratës.

Paditësi po kërkon që të aprovohet padia, të anulohet vendimi i marrë nga Kompania Regjionale e Mbeturinave “Eko-Regjioni” dhe të obligohet e paditura që në emër të pagave të papaguara ta kompensojë në shumën e përgjithshme prej 6 mijë euro.

Raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.