Protesta kundër festivalit "DokuFest" në Prizren, 11 gusht 2023 Foto: KALLXO.com

Gjykata vendos ndaj të dyshuarit për sulmin ndaj gazetarit gjatë protestës kundër “DOKUFEST”

Gjykata e Prizrenit i ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit për rastin e sulmit të gazetarit gjatë protestës kundër “DOKUFEST” në Prizren.

Sipas Prokurorisë, A.K. po dyshohet se ka kryer veprën penale sulm ndaj personit zyrtar.

Sipas njoftimit të Gjykatës, A.K., më 11 gusht 2023, rreth orës 14:00, në Prizren, dyshohet se me dashje e ka sulmuar të dëmtuarin V.K., (gazetar), në atë mënyrë që në momentin kur i dëmtuari V.K., (gazetar), gjatë kryerjes së detyrës së tij merr në intervistë të pandehurin, ky i fundit A.K., e shtyen me dorë duke e sulmuar.

Tutje thuhet se i njëjti ka vazhduar t’i intervistojë protestuesit të tjerë të pranishëm dhe ka hasur në rezistencë të të pranishmëve. Po ashtu, në njoftim thuhet se dyshohet se edhe persona të tjerë e kanë sulmuar fizikisht gazetarin me të cilat veprime tek i njëjti kanë shkaktuar shqetësim.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se hetimet në këtë çështje penale sapo kanë filluar, do të merren në pyetje 2 të dëmtuarit, dëshmitarë të tjerë dhe të dyshuar të tjerë eventual.

Si rezultat i të kësaj caktimi i paraburgimit për të pandehurin është i nevojshëm, dhe i arsyeshëm për të mos penguar rrjedhën procedurale të hetimit.

Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në konstatim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, me qëllim edhe të parandalimit të përsëritjes së veprës penale.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.