Bedri Duraku. Foto: Facebook

Dosja e Prokurorisë - Zyrtari KGjK-së flasifikoi dokumentin zyrtar

Bedri Duraku, është ulur në bankën e të akuzuarit për t`u përballur me akuzat e prokurorisë për falsifikim të dokumentit.

Duraku akuzohet se në cilësinë e Koordinatorit për Lirimin e Kusht në Këshillin Gjyqësor të Kosovës ka falsifikuar dokumentin me të cilin gjykatëses Emine Kaçiku i është ndërprerë mandati për kryesimin e Panelit për Lirim me Kusht.

Aktakuza thotë se Bedri Duraku në muajin korrik të vitit 2016, si koordinator i Panelit për lirim me kusht në Këshillin Gjyqësor të Kosovës ka përpiluar shkresën zyrtare me përmbajtje të rreme.

“Duraku në cilësinë e personit zyrtar pa autorizim ka përpiluar aktin për vazhdimin e mandatit të Panelit për Lirimin me Kusht, i cili ishte në tri faqe duke e ndryshuar përmbajtjen e tij ashtu që faqen e parë e ka lënë të njëjtë, faqja e dytë ka munguar dhe faqen e tretë e ka modifikuar. Me ndryshimin e këtij akti është hequr baza ligjore për vazhdimin e mandatit ndaj të anëtarëve të PLK-së”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës Duraku aktin e falsifikuar e ka protokolluar me numrin e aktit origjinal i cili kishte tri faqe dhe të njëjtin pas nënshkrimit e ka prezantuar në mbledhjen e KGJK-së, ndërsa me datën 21 korrik 2016, gjyqtares Emine Kaçiku i ishte ndërprerë mandati si kryesuese e PLK.

Duraku është deklaruar i pafajshëm pasi u ballafaqua me akuzën për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Seanca e radhës është caktuar me datën 23 mars.