Gjykata Speciale ia vazhdon paraburgimin Rexhep Selimit

Trupi gjykues në rastin e ish-krerëve të UÇK-së ka vendosur që Rexhep Selimit t`i vazhdohet paraburgimi.

Gjykata Speciale argumenton se paraburgimi i Selimit mbetet proporcional duke iu referuar gjetjeve të mëparshme të panelit.

Trupi gjykues konstatoi se vazhdon të ekzistojë rreziku që i pandehuri Rexhep Selimi të pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë vepra penale të tjera kundër atyre që konsiderohen se janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku përfshihen dëshmitarët që kanë dhënë dëshmi, mund të japin dëshmi në këtë çështje gjyqësore ose që pritet të paraqiten në gjykatë, thuhet në vendim.

Tutje, trupi gjykues arriti në përfundimin se këto rreziqe mund të zvogëlohen mjaftueshëm vetëm me anë të zbatimit të kornizës për monitorimin e komunikimeve që përdoret në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së filloi më 3 prill 2023, dy vjet pas arrestimit dhe dërgimit të tyre në Hagë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.