Foto: Ilustrim

Gjykata refuzon një kërkesë për masë të sigurisë në procesin e noterëve

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shkruar në Facebook se Gjykata Themelore, Departamenti administrativ, sot ka refuzuar një kërkesë për masë të sigurisë për anulimin e konkursit të noterëve.

Sipas ministres Haxhiu, ky vendim është i mirëseardhur sepse anulimi i këtij procesi nuk ka qenë hakmarrje për askënd, por se ka qenë proces i përcjellë me shumë shkelje.

“Në ditët e para si Ministre, procesin e noterisë i cili ishte përcjellur me shumë shkelje, e kam anuluar. Pas kësaj, vendimi i njëjtë ishte kontestuar në Gjykatën Themelore nga disa kandidatë. Shumë prej tyre ishin të nxitur nga ish Ministri i Drejtësisë. Sot, kuptova që Gjykata, departamenti administrativ, ka refuzuar një kërkesë për masë të sigurisë, gjë që e vlerësoj. Anulimi i këtij procesi nuk ishte hakmarrje ndaj askujt por veprim i duhur për kthim të ligjshmërisë, transparencës e barazisë. Procese të tilla të komprometuara nuk duhet të legjitimohen”, ka shkruar Haxhiu.

Konkursi i Noterisë është anuluar më 20 shkurt.