Seanca e Kuvendit. 20.04.2023
Mobilizimi i LVV-së, në Kuvend pas përleshjes u miratuan dhjetëra projektligje
Seanca e Kuvendit të Kosovës që u ndërpre nga një përleshje mes deputetëve dhe kabintetit qeveritar e u shoqërua nga tensione e konfrontime fizike, u përmbyll me miratimin e dhjetëra projektligjeve që u votuan vetëm nga deputetët e shumicës në parlament.
Kur deputetët e Kuvendit u rikthyen në seancë, kundërshtimet mes partisë në pushtet dhe partive opozitare krijuan për të dytën herë një përplasje që dërgoi në konfrontim fizik, pasi deputetët e partive opozitare PDK, LDK dhe AAK kërkonin që të ndërprehej seanca, ndërsa LVV insistonte që të shqyrtoheshin pikat e rendit të ditës.
Derisa tri partitë opozitare po shqyrtonin largimin nga seanca, deputetët shumicë në Kuvend u mobilizuan për të miratuar pikat e mbetura të rendit të ditës, në mesin e tyre projektligjin për çmimin e barnave, projektligjin për Fondin Sovran, atë për Pagën minimale, projektligjin për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë etj.
Fillimisht përmes seancës së jashtëzakonshme të thirrur nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, deputetët e shumicës miratuan me 62 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim miratuan Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale.
Me 60 vota, pa prezencën e opozitës në Kuvend, u miratua edhe Ligjin për pagën minimale përmes të cilit paga minimale në Kosovë do të bëhet 264 euro.
Ky projektligj ka ngjallur debat mes pozitës e opozitës prej vitit të kaluar për shkak të kërkesës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët një vit më parë përmes protestave kërkonin përfshirjen e tyre në Projektligjin për pagën minimale.
Miratimi i tij ka nxitur reagimin e menjëhershëm të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së të cilët thanë që ligji u miratua pa opozitën, e “në terr”.
Në kushtet e njëjta, 61 deputetët e shumicës parlamentare në Kuvend, e miratuan edhe Projektligjin për themelimin e Fondit Sovran.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se Fondi Sovran do të shërbejë si menaxhues i aseteve publike ndërsa ky Projektligj rregullon mënyrën e qeverisjes së Fondit.
“Ky Fond Sovran do të shërbejë si menaxhues i aseteve publike. Ligji rregullon mënyrën e qeverisjes së Fondit dhe vendos parimet, rregullat dhe mënyrën e financimit. Fondi Sovran do të kryejë një sërë funksionesh. Fondi themelohet si shoqëri aksionare”- tha ajo.
61 deputetët që ishin prezent në sallë votuan për miratimin në parim të Projektligjit për Procedurën Përmbarimore.
Deputetët e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetët e pakicave në Kuvend miratuan edhe Ligjin për Mjekësinë Ligjore.
Një tjetër ligj që u miratua pas përplasjeve në Kuvend është edhe Ligji për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Në këtë seancë e cila vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes, u miratua edhe Ligji për Ekspertët Gjyqësor.
Kuvendi po ashtu, në seancën e 13 korrikut ka zgjedhur kryesuesin dhe anëtarët e bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, ka emëruar Ahmet Ismailin guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës, ndërsa ka shkarkuar Kimete Gashin nga pozita e anëtares së bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Megjithatë, në mungesë të partive opozitare, ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare u shty për një seancë tjetër.
Përkundër mobilizmit të partisë në pushtet për të shqyrtuar pikat e rendit të ditës, për të disatën herë, Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta miratojë në parim projektligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.
Lidhur me disa prej ligjeve të miratuara në seancën e 13 korrikut, Partia Demokratike e Kosovës duke ju referuar Ligjit për Pagën minimale dhe atij për Institutin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë, thanë se dy projektligjet cenojnë luftën për liri.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra tha se përmes këtyre ligjeve në njërën anë përjashtohen veteranët e UÇK-së nga përfshirja në pagën minimale dhe në anën tjetër, me themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, kanë zgjatur afatin kohor të hetimit deri më 31 dhjetor të vitit 2000.
Çka ndodhi dje në Kuvend?
M 13 korrik 2023, në Kuvendin e Kosovës, gjatë kohës sa ishte duke dhënë fjalim kryeministri Albin Kurti ka ndodhur një pëleshje fizike.
E gjithë kjo nisi kur deputetja e PDK-së Ganimete Musliu vendosi një foto në foltoren e Kuvendit, përderisa Kurti po deklarohej, një fotografi të kreut të ekzekutivit më hundë të madhe.
Më pas zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është ngritur nga karriga e tij dhe ka grisur fotografinë.
Pas këtij veprimi, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku i cili hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti dhe zëvendëskryeministrit Bislimi. Në mbrojtje të kryeministrit doli ministri i Financave, Hekuran Murati derisa Bislimi shihet teksa gjuan një shishe në drejtim të Lushtakut.
Ndërkaq deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, shihet duke goditur ministrin Murati. Pas kësaj, kanë ndërhyrë edhe deputetë tjerë të LVV-së e të PDK-së. Kjo shkaktoi që më pas edhe mbrojtja e Kurtit të hyjë brenda sallës së Kuvendit, përderisa kryeparlamentari, Glauk Konjufca u ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të shkojë në sallë dhe të ndërhyjë.
Deputetët e partisë në pushtet dhe opozitës kanë filluar të shtyhen mes vete, kur Kuvendi vazhdoi një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në nisje të seancës, deputetët e PDK-së kanë sjellë pankarta të mëdha me fotografitë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ku duken me hundë të madhe e me mbishkrimin “Zdravo” [Përshëndetje, në gjuhën serbe].
Kjo si revoltë e opozitës ndaj pushtetit, pas publikimit të disa audio-incizimeve ku dëgjohet biseda e shefes s deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me ish-deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq, në qershor të vitit të kaluar.