18 mijë euro për dizajnin dhe enterierin e zyrës së kryetares së Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka planifikuar të shpenzojë 18 mijë euro për dizajnimin e zyrës së kryetares së kësaj gjykate, Arta Rama- Hajrizi.

Në njoftimin për kontratë të publikuar dje në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, në kuadër të fushëveprimit përveç dizajnimit, është kërkuar edhe lyerja e mureve si dhe instalimet elektrike, ndriçim të ri LED, punim i pjesshëm i instalimit të rrymës e të tjera.

Ndërsa për enterier është kërkuar karrige me lëkurë të cilësisë së lartë si dhe tri tavolina, dy prej tyre për punë dhe njëra për takime.

Përveç kësaj, kontrata përfshinë edhe furnizimin me perde dhe montimin e tyre në zyre.

Në njoftimin për kontratë është bërë e ditur se afati i fundit për pranim të tenderëve/aplikacioneve është pas gjashtë ditëve, pra më 27 prill në ora 13:00, te zyra e prokurimit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Si kriter i dhënies se kësaj kontrate është çmimi më i ulët i ofertuar. Kurse, lloji i procedurës është i hapur.