LDK në Ferizaj pretendon se janë bërë pagesa për rrugë që nuk janë shtruar, arsyetohet Komuna

Komuna e Ferizajt, më 31.05.2021, kishte nënshkruar kontratë për asfaltimin e rrugëve në fshatin Mirash.

Kjo kontratë ishte projekt dyvjeçar dhe kishte vlerë prej 80 mijë e 121 euro e 48 centë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, përkatësisht kryetari i Degës së kësaj partie në Ferizaj, Visar Azemi, ka prezantuar para mediave një faturë që ishte lëshuar për këtë projekt.

Sipas dokumentit të prezantuar nga LDK, fatura për situacionin e dytë të përkohshëm në vlerë prej 48 mijë e 841 euro e 61 centë ishte lëshuar më 22.10.2022.

Përmes kësaj fature, Azemi thotë se u paguan edhe punë që nuk u kryen. Ndonëse urdhër-pagesën nuk e bëri publike, sipas tij, ajo u nënshkrua më 06.04.2022. Siç ka thënë ai, janë paguar 24 mijë euro për punë që nuk janë kryer.

“Nga ky projekt ku përfshihet asfaltimi i tetë rrugëve si dhe kanalizimi atmosferik dhe muri mbrojtës, kemi parë që janë dy parregullsi të mëdha. Në projekt është përfshi ndërtimi i rrugëve tek varrezat e Hashanëve dhe tri rrugica tek Raçt. Paratë janë paguar por asfalti nuk është askund”, deklaroi Azemi.

Meriton Hajdini, Drejtor i Infrastrukturës në Ferizaj si dhe mbikëqyrës i menaxherit të kësaj kontrate thotë se me kërkesën e banorëve është bërë ndryshimi i projektit.

“Zëvendësimi i metrave të atyre rrugëve është bërë në 47 rrugica tjera. Të gjitha janë matur me gjeodetë dhe janë të dokumentuara. Nuk ka asnjë keqpërdorim. Çka kanë thënë ata nuk qëndron”, deklaroi Hajdini.

Për rrugët e mbetura, Hajdini thotë se është nënshkruar kontratë e re.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kryetarin e fshatit Mirash, Taip Bytyqi i cili kur u pyet se cilat kanë qenë kërkesat e banorëve gjatë dëgjimeve publike, deklaroi se kërkesë e tyre gjithmonë ka qenë shtrimi i rrugëve kryesore.

“Bëjë kërkesë që të asfaltohet edhe rruga tek varrezat e Hashanëve që është paraqit si e asfaltuar. Kjo që ndodhi tash, për mua e pakuptimtë e shumë tmerruese. Si prioritet prej banorëve ka qenë rruga tek varrezat, por edhe rrugët tjera kryesore. Banorët gjithmonë kanë bërë kërkesa e unë i kam çu në vend. Komuna nuk është treguar shumë bashkëpunuese”, deklaroi Bytyqi.

Ndërsa, Visar Azemi i LDK-së ka ftuar Prokurorinë që të merret me këtë rast.