Foto-ilustrim

Gjykata e Prishtinës lë në burg bashkëpronarët e agjencisë që dyshohet se mashtruan bashkatdhetarët me bileta

Gjykata e Prishtinës ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj bashkëpronarëve të agjencisë “Prishtina Jet” të dyshuar për mashtrim të shumë bashkatdhetarëve me bileta aeroplani.

M.K. dhe A.B. po dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – mashtrimi, ndërsa M.K. dyshohet se ka kryer edhe veprën penale – shmangie nga tatimi.

Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit e ka aprovuar si të bazuar.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ka vlerësuar se nëse të pandehurit M.K. dhe A.B. gjenden në liri, ekziston rreziku potencial i arratisjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale në këtë fazë të procedurës, ngase të njëjtit kanë zhvilluar aktivitet të kundërligjshëm dhe atë në bashkëkryerje duke dëmtuar një numër të konsiderueshëm të qytetarëve përmes agjencisë së tyre, andaj po të lihen në liri, të njëjtit do t’i ikin përgjegjësisë penale dhe me këtë do të pengojnë edhe rrjedhën e procedurës penale.

Po ashtu, nëse lihen në liri, të pandehurit do t’i përsërisin veprat të ngjashme penale dhe me këtë do të vazhdojë edhe më tutje dëmtimi i pasurisë së qytetarëve.

Dy të dyshuarit janë arrestuar dje në një aksion të Prokurorisë, Policisë dhe ATK-së në Prishtinë dhe Podujevë.

Ndërsa, sot Policia u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që janë dëmtuar nga të dyshuarit të shkojnë të japin deklarata.