Gjykata dënon gruan kosovare që bashkë me familje iu bashkua ISIS-it në Siri
Jetesa Lutfiji e akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në grupet terroriste, u shpall fajtore dhe u dënua me 2 vite burgim me kusht.
Dosja e Prokurorisë shpjegon se e akuzuara më 12 shtator 2014 së bashku me nënën e saj dhe motrat e saj kanë udhëtuar për në Stamboll ku edhe janë takuar me babain e saj, Nagip Lutfiji e më pastaj kanë shkuar në qytetin Gazientep afër kufirit me Sirinë.
Më tutje aktakuza shpjegon se përmes pjesëtareve të ISISI-it, ata kanë kontaktuar me vëllain e saj Besmir Lutfiji. Më pas sipas prokurorisë ajo është martuar me personin e quajtur Samir Kaca nga Tirana i cili ishte polic ushtarak i ISIS-it.
Aktakuza shpjegon se e akuzuara është angazhuar në pikëpamje logjistike dhe me përgatitjen e ushqimit, pastrimin e rrobave ushtarake si dhe është financuar nga ISIS-i, me shumën e të hollave nga 50-100 dollarë në muaj.
Prokuroria thotë se në këto zona të konfliktit ajo ka kontaktuar edhe me Lavdim Muhaxherin, Qamile Tahirin, Rezmije Qazimin dhe Ajnishahe Abazin.
Sipas aktakuzës ajo po ashtu ka poseduar edhe një pushkë automatike të bashkëshortit të saj dhe në këto zona të konfliktit ka vepruar deri në muajin gusht të vitit 2018 ku edhe është arrestuar nga forcat demokratike Siriane dhe me datë 19 prill 2019 e njëjta është riatdhesuar në Kosovë.
Dënimi me kusht Lutfijit nuk do t`i ekzekutohet nëse brenda periudhës së verifikimit në kohëzgjatje prej 3 viteve nuk kryen vepër tjetër penale. Në të kundërtën, ndaj të akuzuarës Lutfiji, ky dënim do t’i zëvendësohet me burgim efektiv dhe në këtë dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrestin shtëpiak.
Gjyqtarja Shadije Gërguri e urdhëroi të akuzuarën që të përmbushë detyrimin për vizitë te psikologu ose te këshilluesit e tjerë, në pajtim me rekomandimet e tyre, në kohëzgjatje për dy vite e gjashtë muaj.
E akuzuara Jetesa Lutfiji në seancën e shqyrtimit fillestar më datë 8.6.2020 e kishte pranuar fajësinë, për veprën penale më të cilën ngarkohej.
Pranon fajësinë e akuzuara se me familje iu bashkua ISIS-it në Siri