Pranon fajësinë e akuzuara se me familje iu bashkua ISIS-it në Siri

Jetesa Lutfiji e akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në grupet terroriste ka dalur sot para Gjykatës së Prishtinës

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i shtetit Afrim Shefkiu, e akuzuara e pranoi fajësinë.

Dosja e Prokurorisë shpjegon se e akuzuara më 12 shtator 2014 me qëllim që t’i bashkangjitet organizatës terroriste ISIS në Siri së bashku me nënën e saj dhe motrat e saj kanë udhëtuar për në Stamboll ku edhe janë takuar me babain e saj, Nagip Lutfiji i cili ka udhëtuar nga Shkupi e më pastaj kanë shkuar në qytetin Gazientep afër kufirit me Sirinë.

Më tutje aktakuza shpjegon se përmes pjesëtareve të ISISI-it, kanë kontaktuar me vëllain e saj Besmir Lutfiji  dhe më pas i kanë transportuar fillimisht në qytetin Gjerablus pastaj në qytetin Sedel Faruk ku edhe është martuar me personin e quajtur Samir Kaca nga Tirana i cili ishte polic ushtarak i ISIS-it.

Aktakuza shpjegon se e akuzuara Jetmira Lutfiji është angazhuar në pikëpamje logjistike dhe me përgatitjen e ushqimit, pastrimin e rrobave ushtarake si dhe është financuar nga ISIS-i, me shumën e të hollave nga 50-100 dollarë në muaj dhe se në këto zona të konfliktit kanë kontaktuar edhe me Lavdim Muhaxherin, Qamile Tahirin, Rezmije Qazimin, Ajnishahe Abazin.

Sipas aktakuzës ajo po ashtu ka poseduar edhe një pushkë automatike të bashkëshortit të saj e që edhe në këto zona të konfliktit ka vepruar deri në muajin gusht të vitit 2018 ku edhe është arrestuar nga forcat demokratike Siriane dhe  me datë 19 prill 2019 e njëjta është riatdhesuar në Kosovë.

Shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë çështje do të bëhet më 10 qershor 2020 në ora 9:00.