Gjilan, 19-vjeçari që vdiq në vendin e punës dyshohet se ka rënë në hinkë të mbushur me beton

Inspektorati i Punës ka bërë të ditur se punëtori që vdiq të hënën në vendin e punës në fshatin Budrikë të komunës së Parteshit, në afërsi të Gjilanit, dyshohet se ka rënë në një hinkë metalike të mbushur me beton.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Inspektorati ka thënë se aktualisht rasti është në fazën fillestare të hetimeve dhe për momentin ende nuk dihen shkaqet e sakta të aksidentit fatal.

“Aksidenti ka ndodhur gjatë orarit të punës rreth orës 11:30 gjatë kryerjes së detyrave të punës, duke punuar në linjën e prodhimit të betonit dhe se i aksidentuari si pasojë e rënies në hinkën metalike të mbushur me beton është ngujuar nga helikat e vendosura në këtë hinkë” – kanë thënë nga Inspektorati i Punës.

Sipas Inspektoratit, punëtori ka qenë duke punuar në një fabrikë për prodhimin e tullave, tjegullave dhe produkteve ndërtimore.

“Tani për tani nuk mundemi me i përcaktu arsyet çka e ka shkaktuar aksidentin, sepse edhe më tutje nuk ka përfunduar inspektimi. Këtë mund të iu ofrojmë vetëm pasi të hartohet raporti zyrtar nga inspektori i punës. Ky raport zyrtar hartohet pas përfundimit të inspektimit dhe hartohet mbi bazën e fakteve të gjetura lidhur me rastin aksidental” – thuhet tutje në përgjigje.

Në anën tjetër, Prokuroria ka bërë të ditur se ka iniciuar hetime për rastin e vdekjes së 19-vjeçarit.

Sipas Prokurorisë së Gjilanit, rasti është iniciuar si – asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës, ndërsa deri më tani nuk është arrestuar asnjë person.

Vdekja e punëtorit në vendin e punës në Gjilan, Prokuroria nis hetime