Gjermania i dhuron Kosovës afër 145 mijë rapid teste

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka pranuar sot një donacion prej 144.960 rapid testeve nga Gjermania.

Sipas komunikatës së MSh-së, ministri Arben Vitia ka shprehur falënderimet për mbështetjen nga shteti gjerman.

“Ne jemi të nderuar të pranojmë furnizimin e 144.960 rapid testeve nga partneri ynë i vazhdueshëm, qeveria gjermane, në mënyrë që të ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes pandemike në Kosovë..E falënderojmë Ambasadorin për mbështetjen e ngritjes së vazhdueshme të fuqisë testuese për diagnostikim të COVID-19. Nga këtu, ne shprehim mirënjohjen tonë për ekipet mjekësore, stafin mbështetës në të gjithë vendin për punën e tyre të vështirë çdo ditë, në shërbim të shëndetit publik”, tha ai.

Ndërkaq, ambasadori gjerman, Joern Rohde theksoi rëndësinë e zbulimit dhe parandalimit e infeksionit  COVID-19.

“Virusi është akoma shumë i pranishëm në shoqëritë tona dhe mbetet një kërcënim. Gjermania mbetet në krah të Kosovës dhe vazhdon të mbështesë përgjigjen e qeverisë kundër COVID-19”, citohet të ketë thënë ambasadori Rohde.