Gjermania, Franca dhe ShBA dakordohen se njohja e zonave separatiste "nuk do të mbetet pa përgjigje"

Kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidenti amerikan Joe Biden kanë rënë dakord që dekretet e presidentit rus Vladimir Putin që njohin dy rajonet separatiste pro-Moskë në Ukrainë si të pavarura “nuk do të mbeten pa përgjigje”, tha zëdhënësi i Scholz, raporton CNN.

Në një deklaratë të hënën, zëdhënësi i kancelarit gjerman, tha se Scholz foli me Biden dhe Macron të hënën në mbrëmje për “situatën e përkeqësuar” pasi presidenti rus njohu zyrtarisht dy rajonet ukrainase Luhansk dhe Donetsk.

“Të tre palët ranë dakord se kjo lëvizje e njëanshme e Rusisë është një shkelje e qartë e Marrëveshjes së Minskut. Gjermania, Franca dhe SHBA-ja dënuan ashpër vendimin e presidentit rus. Kjo lëvizje nuk do të mbetet pa përgjigje,” tha zëdhënësi.

Scholz, Biden dhe Macron shprehën solidaritetin e tyre me Ukrainën dhe përgëzuan reagimin e kujdesshëm të Ukrainës deri më sot, të udhëhequr nga presidenti Volodymyr Zelensky, shtoi ai.

“Partnerët ranë dakord të mos heqin dorë nga angazhimi i tyre ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës. Në të njëjtën kohë, do të bëhet çdo përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës”, përfundoi zëdhënësi.