Shkolla Fillore "Hasan Prishtina", Prishtinë, Foto:Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Gjendja me ngrohje në shkolla e kopshte të Prishtinës kthehet në normalitet

Furnizimi me ngrohje në shkolla e kopshte të Prishtinës që varen nga ngorhtorja ‘Termokos’ është rikthyer në normalitet.

Para dy ditësh, si pasojë e mosfurznimit me avull nga KEK-u, “Termokos” ndali shërbimin me ngrohje për konsumatorët e saj dhe kjo kishte bërë që institucionet arsimore të mbajnë mësim me orar më  të shkurtër.

Azem Jaha, drejtor i shkollës “Xhevdet Doda” tha se tani kanë furnizim normal me ngrohje.

Ai tha se dje kanë pasur pak pengesa, por tani gjithçka është në rregull.

“Po kemi ngrohje, situata është kthyer në normalitet, dje kemi pasur pak pengesa, por tani është mirë, mësimi po mbahet me rregull”, ka thënë Jaha.

Derisa, drejtori i shkollës së mesme të lartë “Hoxhë Kadri Prishtina”, Jahë Sahiti, tha se ngrohen me naftë dhe nuk e kanë aspak varësinë nga ‘Termokos’.

“Ne ngrohemi me naftë, besoj se në këtë situatë na ka rënë më së miri, pasi nuk varemi nga ngrohtorja e qytetit, nuk kemi pasur asnjë pengesë në mësim”, ka thënë Sahiti.

Edhe shkolla fillore ‘Faik Konica’ po mban mësim të rregullt, drejtoresha e kësaj shkolle, Jehona Oruqi tha se nuk kanë problem me ngrohje.

“Nuk kemi asnjë problem, ngrohja prej dje është kthyer dhe mësimi po zhvillohet sipas planit”, ka thënë Oruqi.

Në institucionin parashkollor ‘Lulevera’ po ashtu procesi po vijon sipas planit, drejtoresha Mihrije Spahiu tha se nuk kanë problem me ngrohjen.

“Tani jemi në rregull me ngrohje, përpos para dy ditësh që e kanë ndërprerë për shkaqe që veçse janë bërë publike, problemi me Termokos. Edhe proesi i mësimit është me orar të paraparë”, ka thënë Spahiu.

Ndalimi i ngrohjes nga “Termokos”, telashe për shkollat e çerdhet në Prishtinë