Ilustrim

Gjendja emergjente: Kontrolli për zbatimin e masave mbrojtëse

Numri total i të prekurve me coronavirus ka shkuar në 9 ndërsa Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik.

Ky vendim është marrë sot pas propozimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Vendimi i ministrisë është i bazuar edhe në ligjin për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve gjenerike.

Ligji në fjalë ka paraparë masat mbrojtëse që duhet merren në gjendje emergjente të shëndetit publik.

Për ta mbrojtur vendin nga futja e sëmundjeve ngjitëse, ligji specifikon që të organizohet dhe ushtrohet kontrolli sanitar i udhëtarëve dhe sendeve të tyre si dhe i mjeteve të transportit në qarkullimin ndërkombëtar që kryhet në kufijtë e Kosovës.

Kontrollin sanitar në kufi e ushtron inspektori sanitar.

Inspektori Sanitar ka për obligim në radhë të parë të urdhërojë kontrollin sanitar të personave dhe të materialeve për konstatimin e sëmundjeve ngjitëse, të ndalojë qarkullimin e personave për të cilët konstatohet ose dyshohet se mund të infektohen nga kolera, murtaja, variola vera, ethet hemorragjike virale, ethet e verdha, SARS-it dhe gripit të shpendëve.

Inspektori Sanitar parashihet të urdhërojë marrjen e masave të tjera të parashikuara tekniko- sanitare dhe higjienike kundër sëmundjeve ngjitëse, në përputhje me legjislacionin në Kosovë dhe me detyrimet në bazë të konventave ndërkombëtare sanitare dhe të traktateve të tjera ndërkombëtare.

Masa tjera që janë paraparë është që të ndalohet veprimtaria në punë dhe në detyra të caktuara personave të sëmurë nga sëmundjet e caktuara ngjitëse, e të ndalohet edhe qarkullimi i personave për të cilët konstatohet ose dyshohet se janë të sëmurë nga sëmundjet e caktuara ngjitëse.

Ligji ka paraparë që të ndalohet tubimi i personave në shkolla, në kinema, në lokalet publike dhe në vendet e tjera publike.

Në këtë gjendje emergjente parashihet si masë mbrojtëse dezinfektimin, dezinsektim dhe deratizimin me qëllim të parandalimit ose të luftimit të sëmundjeve ngjitëse, si dhe izolimin e personave të sëmurë nga sëmundjet e caktuara ngjitëse dhe mjekimin e tyre.