Gjendja e jashtëzakonshme në Maqedoni të Veriut, pezullohen aktivitetet për zgjedhjet e 12 prillit

Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe masës për orë policore, Qeveria në seancën e sotme ka miratuar dekret me të cilin ka pezulluar të gjitha veprimet për kryerjen e zgjedhjeve parlamentare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të planifikuara për 12 Prill 2020, raporton TV21.

Me këtë dekret Qeveria e ka obliguar Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve që e njëjta ta sigurojë dhe ta ruajë materialin dhe dokumentacionin zgjedhor, deri në momentin kur të rifillojë fushata dhe në momentin kur të kalojë gjendja e jashtëzakonshme.

Në dekretin e Qeverisë thuhet se KShZ-ja, brenda një dite nga dita e mbarimit të gjendjes së jashtëzakonshme, do të publikojë në faqen e saj të internetit një orar të rishikuar për vazhdimin e veprimtarisë zgjedhore./TV21