Sela tregon arsyet pse s’do të jetë bashkë me koalicionin në të cilin bën pjesë edhe Arben Taravari
Deputeti dhe kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka thënë se është kundër koalicionit në të cilin bëjnë pjesë Lëvizja ‘Besa’, Alternativa dhe Lidhja Demokratike. Pjesë e këtij koalicioni është edhe Arben Taravari, ish-kryetari i Aleancës për Shqiptarët, njëherësh kandidat për president të Maqedonisë së Veriut.
Sela në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se ASH ka një marrëveshje që është ende në fuqi me Alternativën, marrëveshje e cila nuk lejon koalicione.
“Kjo marrëveshje është arritur në vitin 2020, si rezultat i të cilës ne i bëmë 12 deputetë, kjo marrëveshje vlen deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kështu thotë marrëveshja. Që i bie që qoftë në opozitë qoftë në pozitë ne do të jemi bashkë. Ajo marrëveshje është shkelur dy herë, një herë në 2021 kur ai (Arben Taravari), mori katër deputetë dhe iku në qeveri dhe ne na la në opozitë, por nuk është që ne u shqetësuam shumë nga ai fakt, por na shqetëson fakti që nuk i rrinë fjalës së dhënë e dokumentit të nënshkruar” – tha Sela.
Sipas Selës, herën tjetër që ‘Alternativa’, e shkeli marrëveshjen është koha kur partia Aleanca për Shqiptarët shkoi në qeveri, Alternativa doli.
“Edhe kjo është shkelje e marrëveshjes që është bërë” – tha Sela.
A ka mosdurim personal Sela për Bilall Kasamin, kryetarin e Lëvizjes Besa’?
Kryetari i ASH-së, Ziadin Sela, foli edhe për Lëvizjen Besa, për të cilën tha se kur është bërë përpjekje për krijimin e një shumice të re dhe BDI të shkojë në opozitë, Bilall Kasami, kryetari i Lëvizjes Besa shpejtoi dhe e mori pozitën e kryetarit të komunës.
“Ai (Bilall Kasami) nuk kishte se pse të shpejtonte për ta marr këtë pozitë, pra të mos e merrte mandatin të rrinte edhe ca javë dhe votonte rënien e qeverisë dhe do kishim një qeveri tjetër që do ta qonte vendin në zgjedhje të reja pas një viti. Gjëja tjetër ishte deputeti që mungoi atë ditë sepse dha edhe nënshkrim për tu arrit 61% i një shumice të re, i cili u zhduk dhe komponenti i tretë i cili e fshehu këtë deputet është kryetari i lëvizjes Demokratike. Këta tre komponentë të kanë tradhtuar në hapat e tu politik ti tani shkon dhe bën përsëri koalicion me ta. Kjo nuk të jep garanca që të njëjtat veprime politike do ti bëjnë nesër” – tha tutje Sela.
Sela ka thënë se nuk është e vërtetë që s’mund ta durojë Kasamin, përkundrazi ai shton se kanë pasur koalicion edhe me partinë e tij.
Por sipas Selës, kur fillon dhe ndërton front ndryshimi, është e vështirë.
“Problemi është që në këto përpjekjet e mija për ta ndërtuar frontin vazhdimisht kam hasur në pabesi dhe tradhti, në momente shumë vendimtare. Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në vitin 2021, nuk më mungonte sensi që duke luftuar Lëvizjen Besa unë do kisha një faktor politik më pak si pengesë mirëpo unë doja që ta ndërtoja frontin për ndryshim dhe duke ia dhënë votat e Aleancës, Bilall Kasamit, arriti që të bëhet kryetar komune, në mënyrë që të para përgatis terrenin në zgjedhjet e ardhshme të vij dhe të ndodh ndryshimi”, – thotë Sela.
Më 18.02.2024, Aleanca për Shqiptarët mbajti kongresin e jashtëzakonshëm të thirrur nga Ziadin Sela.
Me 591 vota është shkarkuar Arben Taravari nga pozita e kryetarit të ASH-së, pasi vendosi ta vazhdonte rrugën e tij me opozitën shqiptare. Ziadin Sela, si kandidat i vetëm e rimori drejtimin e partisë.
Kjo mbledhje erdhi si reagim ndaj zhvillimeve brenda partisë, pas kongresit të organizuar nga Taravari, në të cilin ai u konfirmua si kandidat i opozitës për president të Maqedonisë së Veriut.
Megjithëkëtë, Sela është në gjyq për legjitimimin e pozitës së tij si kryetar partie.
“Unë nuk e shifsha të nevojshme që të jemi në gjyq (me Arben Taravarin), lidhur me atë vendin që e solli kongresi i partisë, por ish-kryetari i partisë, z. Taravari e bojkotoi edhe Kuvendin Qendror, nuk ishte aty edhe në Kongresin e partisë që ishte i ftuar dhe nuk ishte aty” – tha Sela.
Sela ka sqaruar se deri në muajin prill 2024, Gjykata Themelore e Tetovës në Maqedoninë e Veriut do të vendos se kush është kryetar legjitim i partisë, Aleanca për Shqiptarët.
“Gjykata Themelore duhet të marr një vendim, lidhur me atë se kush është kryetar legal i ASH-së” – ka thënë tutje Sela.