Cila është arsyeja që Ziadin Sela u rikthye në partinë Aleanca për Shqiptarët?

“Nisi të kontrabandohej partia, andaj u riktheva”, tha Ziadin Sela, deputeti dhe kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut në emisionin “KallxoPërnime”.

Ai në emisionin “KallxoPërnime” ka sqaruar arsyet se pse është rikthyer pasi që dha dorëheqje nga partia Aleanca për Shqiptarët.

“Kontrabandimi i partisë do të thotë kur ti vepron nën urdhra, kur nuk respekton vendimet e organeve të partisë në përpara shprehjes së një qëndrimi personal që si kryetar partie nuk duhet të ndodh. Ne kishim një vendim të Kryesisë Qendrore për të shkuar vet në zgjedhje dhe ky (Arben Taravari) kontrabandon partinë pa pasur asnjë ofertë atje ku e kontrabandon dhe sot e asaj dite ai nuk ka ofertë dhe natyrisht që në këtë situatë u provokua revolta e kryesisë së Aleancës për Shqiptarët” – ka shpjeguar Sela.

Në pyetjen se a është ende po ai që dëshironte ta rrëzonte nga pushteti BDI-në dhe ta sillte Aleancën në pushtet, ai tha që po ai i njëjti është.

“Prandaj kam insistu që ndryshimi të ketë kuptim dhe esencë dhe jo vetëm një fjalë goje siç mundohet dikush të servojë. Nuk paraqet asnjë ndryshim, kur ti shkon e kontrabandon partonë dhe sipas asaj që do të dalë, do të dalë që Arben Taravari, rezultat i këtij kontrabandimi Aleancën nuk e nxjerr më tepër se 3 deputetë ose 4 në ndërkohë që tash në momentin që flasim i ka 8 deputetë kjo parti” – tha Sela.

21.08.2022, Ziadin Sela në një konferencë për media, kishte njoftuar për dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të partisë Aleanca për Shqiptarët.

Ai kishte thënë se arsyeja e dorëheqjes së tij janë rezultatet në zgjedhjet e fundit në Tetovë, duke shtuar se Tetova nuk është vetëm komunë dhe qytet, por diçka më shumë.

Më 18.02.2024, Aleanca për Shqiptarët mbajti kongresin e jashtëzakonshëm të thirrur nga Ziadin Sela.

Me 591 vota është shkarkuar Arben Taravari nga pozita e kryetarit të ASH-së, pasi vendosi ta vazhdonte rrugën e tij me opozitën shqiptare. Ziadin Sela, si kandidat i vetëm e rimori drejtimin e partisë.

Kjo mbledhje erdhi si reagim ndaj zhvillimeve brenda partisë, pas kongresit të organizuar nga Taravari, në të cilin ai u konfirmua si kandidat i opozitës për president të Maqedonisë së Veriut.

Megjithëkëtë, Sela është në gjyq për legjitimimin e pozitës së tij si kryetar partie.

“Unë nuk e shifsha të nevojshme që të jemi në gjyq (me Arben Taravarin), lidhur me atë vendin që e solli kongresi i partisë, por ish-kryetari i partisë, z. Taravari e bojkotoi edhe Kuvendin Qendror, nuk ishte aty edhe në Kongresin e partisë që ishte i ftuar dhe nuk ishte aty” – tha Sela.

Sela ka sqaruar se deri në muajin prill 2024, Gjykata Themelore e Tetovës në Maqedoninë e Veriut do të vendos se kush është kryetar legjitim i partisë, Aleanca për Shqiptarët.

“Gjykata Themelore duhet të marr një vendim, lidhur me atë se kush është kryetar legal i ASH-së” – ka thënë tutje Sela.