Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit

Gjendet armatim i ri në Banjskë

Edhe në orët e pasdites ka vazhduar kontrolli i zonës së Banjskës, ku siç merr vesh KALLXO.com janë gjetur armatim i ri i cili dyshohet se i përket grupit të dyshuar terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës mëngjesin e së dielës.

Armatimi, siç mëson KALLXO.com është gjetur edhe në shtëpi private të cilat janë kontrolluar e bastisur për shkaqe të sigurisë.

Kjo për arsye se në rrethinë ka pasur edhe shtëpi të pabanueshme.

Në njërën veturë që u konfiskua mbrëmë KALLXO.com mësoi se brenda ishin gjetur snajperë.

Policia njoftoi se në kuadër të operacionit në fshatin Banjskë, përveç arrestimit të dy personave të tjerë në një hotel në Banjskë mbrëmë, gjithashtu në zonën e këtij fshati janë gjetur edhe një tjetër arsenal i armëve.

Deri më tani, numri i të arrestuarve që ndërlidhen me sulmin terrorist të 24 shtatorit, ka shkuar në tetë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se vlerësuar në aspektin e sigurisë, situata në veri të vendit është e qetë, por mbetet e tensionuar.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje në të cilat shihet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, në mesin e grupit terrorist që sulmuan Policinë e Kosovës, të dielën e 24 shtatorit.