Gjashtë muaj luftë në Ukrainë

Lufta në Ukrainë ka hyrë sot në muajin e gjashtë. 

Këtë të mërkurë Kievi do ta festojë ditën e pavarësisë dhe do të shënojë gjysmë viti luftimesh, me një shfaqje të tankeve ruse të shkatërruara në rrugën e tij kryesore. Shpresat e presidentit rus për një fitore të shpejtë kanë humbur dhe bisedimet për ndonjë paqe eventuale kanë ngecur. 

Ishte mbrëmja e hershme e 21 shkurtit kur u bë e pamundur të injorohej se Vladimir Putin po planifikonte diçka vërtet të tmerrshme për Ukrainën.

Deri në atë moment, saktësisht gjashtë muaj më parë, shumë zëra kërkonin qetësi përballë paralajmërimeve gjithnjë e më këmbëngulëse amerikane dhe britanike për një pushtim të plotë rus në Ukrainë. Qeveritë franceze dhe gjermane, zyrtarët rusë dhe madje edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy sugjeronin se prezenca e madhe e trupave të Putinit ishte një blof dhe paralajmërimet nga Uashingtoni ishin të tepëruara.

Pastaj Putini u shfaq në televizion, duke kryesuar një takim të këshillit të tij të sigurisë në Kremlin. Duke i urdhëruar oborrtarët e tij, një nga një, në mikrofon, Putin shtirej kinse po i kërkonte këshillat e tyre, duke i poshtëruar edhe ata pak zyrtarë aty që hezitonin t’i jepnin përgjigjet që donte. 

Me sa duket, çështja në diskutim ishte nëse Rusia duhet të njohë “pavarësinë” e të ashtuquajturave “republika popullore” të Donetsk dhe Luhansk.

Por ky ishte vetëm një pretekst. Më pas, televizioni rus ndërpreu një fjalim të gjatë dhe të zhurmshëm të Putinit, në të cilin ai nënçmoi historinë dhe shtetësinë e Ukrainës.

Tri ditë më vonë, me 24 shkurt, në orët e hershme të mëngjesit, filloi sulmi rus, me raketa që ranë mbi objektiva anembanë Ukrainës dhe trupat tokësore u shfaqwn në Ukrainw nga tri drejtime. 

Ai vendim fatal e ka ndryshuar Ukrainën, Rusinë dhe botën në mënyrë të pakthyeshme gjatë gjashtë muajve të kaluar. Që atëherë, dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë, miliona janë larguar dhe qytetet janë kthyer në gërmadha nga bombardimet e pamëshirshme të Rusisë.

Rusia gjithashtu ka ndryshuar, me regjimin që i ka hequr gjurmët e fundit të demokracisë dhe e ka përqafuar militarizmin e plotë, ndërsa perëndimi i ka rikalibruar marrëdhëniet e tij me Rusinë dhe paranë ruse, dhe shumë vende kanë filluar një program të paprecedentë ndihme ushtarake për Ukrainën.

Sot, ndërkohë, zhvillimet e fundit në dhe nga Ukraina janë si në vijim:

Ukraina po përgatitet për një intensifikim të sulmeve raketore ruse që mund të përkojë me ditën e saj të pavarësisë të mërkurën. Ushtria ukrainase ka paralajmëruar se Rusia i ka vendosur pesë anije luftarake dhe nëndetëse me raketa lundrimi në Detin e Zi dhe se Moska po i pozicionon sistemet e mbrojtjes ajrore në Bjellorusi. Tubimet e mëdha janë ndaluar në Kiev për katër ditë nga e hëna. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy paralajmëroi se “Rusia mund të përpiqet të bëjë diçka veçanërisht të shëmtuar, diçka veçanërisht të egër” këtë javë ndërkohë që vendi feston 31 vjetorin e pavarësisë.

Predha të shumta artilerie kanë rënë mbi qytetin ukrainas të Nikopolit, afër centralit bërthamor të Zaporizhzhia, gjatë natës. Nikopol u granatua në pesë raste të ndryshme, shkroi guvernatori rajonal Valentyn Reznichenko në Telegram. Ai tha se 25 predha artilerie goditën qytetin, duke shkaktuar një zjarr në objektet industriale dhe duke e ndërprerë energjinë për 3,000 banorë.

Raketat ruse goditën objektivat pranë Odesës, thanë zyrtarët ukrainas. Pesë raketa ruse Kalibr u hodhën nga Deti i Zi në rajon gjatë natës, tha zëdhënësi i administratës rajonale, duke cituar informacione nga komanda ushtarake jugore. Dy u qëlluan nga mbrojtja ajrore ukrainase dhe tri goditën objektiva bujqësore, por nuk pati viktima. Rusia tha të dielën se raketat kishin shkatërruar një depo municioni që përmban raketa Himars të prodhuara nga SHBA, ndërsa Kievi tha se një hambar ishte goditur.

Vajza e ideologut ultranacionalist rus dhe aleatit të Vladimir Putinit u vra nga një bombë në veturë në periferi të Moskës të shtunën mbrëma. Darya Dugina, babai i së cilës është komentatori politik rus Alexander Dugin, vdiq kur Toyota Land Cruiser që ajo po ngiste u bë copë nga një shpërthim i fuqishëm rreth 20 km në perëndim të kryeqytetit rus.

Një ish-deputet i Dumës së Rusisë ka pohuar se partizanët rusë dyshohet se qëndrojnë pas sulmit me bombë në veturë. Ilya Ponomarev, i cili u dëbua për aktivitete anti-Kremlin, pretendon se shpërthimi ishte vepër e Ushtrisë Republikane Kombëtare, për të cilën ai pretendoi se është një grup i nëndheshëm që punon brenda Rusisë dhe i përkushtuar për përmbysjen e regjimit të Putinit. “Ky sulm hap një faqe të re në rezistencën ruse ndaj Putinizmit,” tha ai.

Zelenskiy e paralajmëroi Rusinë që të mos i gjykojë ushtarët ukrainas të kapur gjatë rrethimit të Mariupolit. “Nëse zhvillohet kjo gjykatë e neveritshme, nëse njerëzit tanë sillen në këto mjedise në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet, të gjitha rregullat ndërkombëtare, do të ketë abuzim,” tha ai në një fjalim të së dielës në mbrëmje. “Kjo do të jetë linja përtej së cilës negociatat nuk janë të mundshme.”

Udhëheqësit e Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe SHBA-së kërkuan vetëpërmbajtje ushtarake rreth centralit bërthamor të Zaporizhzhia të mbajtur nga Rusia në Ukrainë. Përmes një bisede me telefon, katër liderët gjithashtu bënë thirrje për një “vizitë të shpejtë” në vendin bërthamor nga inspektorët e pavarur të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, sipas zëdhënësit të kancelarit gjerman Olaf Scholz.

Katër anije të tjera që transportonin ushqim u larguan nga portet e Ukrainës, tha ministria e mbrojtjes e Turqisë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të anijeve që do të largoheshin nga portet e Detit të Zi të Ukrainës sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB për eksportin e grurit në 31 sosh./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala