Gjakovë, në prill pritet të vazhdojë gjykimi ndaj drejtorit të urbanizmit

Drejtori i urbanizmit Arben Bakalli, bashkë me ish-arkitektin e tashmë bashkëpunëtorin profesional pranë kësaj drejtorie Agron Gojani, po akuzohen me akuza të ndërlidhura me korrupsion.

Sot në Gjykatën e Gjakovës u dëgjua dëshmitarja Teuta Bakija.

Dëshmitarja Teuta Bakija, tregoi se që nga viti 2012 bashkëshorti i saj tani i ndjerë, kishte filluar të merrej me procedurën për ndërtimin në kompleksin Orize.

Bakija tha se më pas djemtë e saj ishin marrë me këtë çështje dhe se ajo nuk është në dijeni.

Ajo vetëm ka treguar se për leje të ndërtimit në këtë pjesë, i janë kërkuar shumë dokumente.

Ndërkohë, mbrojtësi i të akuzuarit Arben Bakalli avokati Arbër Guta i propozoi gjykatës që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet shefi i personelit në Drejtorinë e Urbanizmit u.d. Florent Koci, me arsyetimin se i njëjti do të tregojë për kompetencat e drejtorit në po këtë drejtori.

Një propozim të tillë, e kundërshtoi prokurori Ramiz Buzhala, ndërsa trupi gjykues e refuzoi duke thënë që ky propozim nuk është arsyetuar mirë se për çka do të kontribuojë në procedurë i njëjti dëshmitar.

Më pas, u lexuan edhe provat në shkresat e lëndës.

Ndërkaq, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Agron Gojani, avokati Meshari Selimaj propozoi që të bëhet një ekspertizë dhe të dëgjohet nga zyra ligjore një zyrtar ligjor nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa gjykata e refuzoi një propozim të tillë, me arsyetimin se nuk është precizuar se çfarë lloj ekspertize të bëhet.

Seanca e radhës, ku të akuzuarit do të japin mbrojtjen e tyre do të mbahet me datë 29 prill.

Seanca e kaluar kishte dështuar për shkak të mungesës së njërit nga anëtarët e trupit gjykues.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Agron Gojani kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, ndërsa Arben Bakalli ka nënshkruar dhe lëshuar vendimin për të ndërtuar në Kompleksin Orize në Gjakovë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i këtij rasti Ramiz Buzhala, ata ishin deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës, në muajin shkurt të vitit 2018, Agron Gojani në cilësinë e arkitektit pranë Drejtorisë për Urbanizën, ku paraprakisht kërkohej bashkimi i parcelave kadastrale para fillimit të procedurave për leje ndërtimi, i akuzuari ka aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore duke lëshuar vendim me të cilën ka aprovuar kërkesën për ndërtimin e objektit kolektiv në 6 parcela në pronësi të familjes Bakija.

Aktakuza shpjegon se i njëjti ka keqpërdorur detyrën e tij me qëllim që të tjerëve ti sjell dobi pasurore, në këtë rast Teuta Bakija si dhe t’i shkaktojë dëm të dëmtuarës Komunës së Gjakovës, duke vepruar në kundërshtim  me Planin Urbanistik, ku sipas projektit ajo zonë ishte paraparë të jetë zonë gjelbëruese.

Ndërsa, drejtori i Urbanizmit në komunën e Gjakovës, Arben Bakalli ka keqpërdorur detyrës e tij ashtu që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, ka nënshkruar vendim për kushtet ndërtimore për ndërtimin e objektit kolektiv në pronësi të familjes Bakija, e më pas e ka lëshuar atë vendim për leje ndërtimore.

Gjykatësi Mentor Bajraktari, iu japi kohë palëve që në afat prej 30 ditësh të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe provave të saj.