Gjykimi për lejen ndërtimore në Gjakovë FOTO-Tringa Rruka/KALLXO.com

Gjakovë, shtyhet seanca ndaj drejtorit dhe bashkëpunëtorit në Drejtorinë e Urbanizmit

Drejtori i Urbanizmit  në Gjakovë, Arben Bakalli, bashkë me ish-arkitektin e tashmë bashkëpunëtorin profesional pranë kësaj drejtorie Agron Gojani, po akuzohen me akuza të ndërlidhura me korrupsion.

Mirëpo, për shkak të shkaqeve shëndetësore të njërit nga anëtarit të truput gjykues, seanca u shty për datën 23 mars.

Në sallë të gjykimit ishin prezent dy të akuzuarit bashkë me avokatët e tyre si dhe dëshmitarja Teuta Bakija.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Agron Gojani kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, ndërsa Arben Bakalli ka nënshkruar dhe lëshuar vendimin për të ndërtuar në Kompleksin Orize në Gjakovë në kundërshtim me planin urbanistic.

Ata ishin deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës, në muajin shkurt të vitit 2018, Agron Gojani në cilësinë e arkitektit pranë Drejtorisë për Urbanizën, ku paraprakisht kërkohej bashkimi i parcelave kadastrale para fillimit të procedurave për leje ndërtimi, i akuzuari ka aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore duke lëshuar vendim me të cilën ka aprovuar kërkesën për ndërtimin e objektit kolektiv në 6 parcela në pronësi të familjes Bakija.

Aktakuza shpjegon se i njëjti ka keqpërdorur detyrën e tij me qëllim që të tjerëve t’i sjell dobi pasurore, në këtë rast Teuta Bakijës si dhe t’i shkaktojë dëm Komunës së Gjakovës, duke vepruar në kundërshtim  me Planin Urbanistik, ku sipas projektit ajo zonë ishte paraparë të jetë zonë e gjelbër..

Ndërsa, sipas Prokurorisë, drejtori i Urbanizmit në komunën e Gjakovës, Arben Bakalli ka keqpërdorur detyrën e tij ashtu që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, ka nënshkruar vendim për kushtet ndërtimore për ndërtimin e objektit kolektiv në pronësi të familjes Bakija, e më pas e ka lëshuar atë vendim për leje ndërtimore.

Refuzohet kërkesa për hudhjen e aktakuzës ndaj drejtorit të Urbanizmit dhe bashkëpunëtorit profesional në Gjakovë