Gjykimi ndaj drejtorit dhe bashkëpunëtorit në Drejtorinë e Urbanizmit të Gjakovës - 29.04.2021 - FOTO KALLXO

Jepet mbrojtja përfundimtare në gjykimin ndaj drejtorit dhe bashkëpunëtorit në Drejtorinë e Urbanizmit të Gjakovës

Drejtori i urbanizmit Arben Bakalli, bashkë me ish-arkitektin e tashmë bashkëpunëtorin profesional në këtë drejtori, Agron Gojani, po akuzohen për vepra penale të ndërlidhura me korrupsion.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Agron Gojani kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, ndërsa Arben Bakalli kishte nënshkruar dhe lëshuar vendimin për të ndërtuar në Kompleksin ‘Orize’ në Gjakovë.

Sot, para trupit gjykues me kryetar Mentor Bajraktarin e anëtarët Besnik Bislimaj dhe Ilir Rashkaj, u dha mbrojtja e të akuzuarve.

I pari që dha mbrojtjen e tij ishte Agron Gojani. Ai tregoi që në komunën e Gjakovës është në cilësinë e bashkëpunëtorit profesional për Urbanizëm, që ka për detyrë trajtimin e çështjeve urbanistike, kërkesat për kushte dhe leje ndërtimoreve, pëlqime urbanistike e shumë të tjera.

Gojani tregoi që këtë funksion e ushtron qe nga viti 1985, pra me shumë se 30 vite.

Për rastin që akuzohet, Agron Gojani tha që me të gjithë stafin janë konsultuar dhe kanë parë që ka pasur mangësi në plan dhe se nuk është respektuar plani i mëparshëm i revidimit, plan ky që ka pasur mangësi.

Ai tha se vendimin për shpallje të interesit publik e ka marrë asambleja ose kuvendi i komunës.

Gojani, tha se interesi publik ka qenë më madhor se inspektimi i planit të vjetër, gjë që vërehet me rreth-rrotullimin dhe rrugën “Bujar Roka”.

Ai tregoi edhe dy mënyrat që kanë të bëjnë me ndërtime urbanistike.

“Sipas ligjit në fuqi trajtimi i kushteve ndërtimore bëhet në dy mënyra, pra kur ekzistojnë planet rregulluesve urbane nuk ka nevojë për kushte ndërtimore pasi që ai plan i përfshinë ato kushte e në këtë rast shkohet direkt në kërkesë për leje të ndërtimit, ndërsa kur zonat janë të pambuluara me plan urbanistik p.sh. në rastin e familjes Bakija kemi pasur të bëjmë me një plan që nuk është respektuar sipas vendimit të fundit për shpallje të interesit publik dhe si përfundim jemi bazuar ne konsultimet paraprake me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe si përfundim është trajtuar me anë të propozimit të kushteve ndërtimore”, deklaroi Agron Gojani.

Ai tha se sipas planit urbanistik, në kompleksin ‘Orize’ është paraparë plan i ndërtimit të lartë meqenëse lokacioni shtrihet në arterien kryesore të qytetit, duke u trajtuar kështu si qendra e ngushtë e qytetit.

Agron Gojani, tregoi që familja Bakija kishte bërë dy kërkesa më herët, të cilat kërkesa nuk i janë refuzuar zyrtarisht por kanë marrë një përgjigje negative, ndërsa kërkesa e tretë i është aprovuar, pasi që janë plotësuar kushtet për aplikim të lejes së ndërtimit.

Sipas tij, ata i referohen kryesisht Ligjit të Ndërtimit, i cili ligj precizon dhënien dhe trajtimin e kushteve ndërtimore dhe se plani i revidimit e ka trajtuar apo e ka paraparë parcelën e familjes Bakija komplet si zonë gjelbëruese, mirëpo gjendja faktike ishte ndryshuar.

Në fund, ai tha në përvojën e tij shumëvjeçare të gjitha detyrat i ka kryer në dispozicion me ligjin.

Ndërsa, drejtori i Urbanizmit Arben Bakalli, nuk u deklarua, ai tha se do të mbrohet në heshtje.

Në anën tjetër, trupi gjykues vendosi datën 27 maj për dhënien e fjalës përfundimtare.

Seancën e fundit kishte dëshmuar Teuta Bakija.

Një seancë kishte dështuar për shkak të mungesës se njërit nga anëtarët e trupit gjykues.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Agron Gojani kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, ndërsa Arben Bakalli ka nënshkruar dhe lëshuar vendimin për të ndërtuar në Kompleksin Orize në Gjakovë.

Ata ishin deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës, në muajin shkurt të vitit 2018, Agron Gojani në cilësinë e arkitektit pranë Drejtorisë për Urbanizën, ku paraprakisht kërkohej bashkimi i parcelave kadastrale para fillimit të procedurave për leje ndërtimi, i akuzuari ka aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore duke lëshuar vendim me të cilën ka aprovuar kërkesën për ndërtimin e objektit kolektiv në 6 parcela në pronësi të familjes Bakija.

Aktakuza shpjegon se i njëjti ka keqpërdorur detyrën e tij me qëllim që të tjerëve ti sjell dobi pasurore, në këtë rast Teuta Bakija si dhe t’i shkaktojë dëm të dëmtuarës Komunës së Gjakovës, duke vepruar në kundërshtim  me Planin Urbanistik, ku sipas projektit ajo zonë ishte paraparë të jetë zonë gjelbëruese.

Ndërsa, drejtori i Urbanizmit në komunën e Gjakovës, Arben Bakalli ka keqpërdorur detyrës e tij ashtu që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, ka nënshkruar vendim për kushtet ndërtimore për ndërtimin e objektit kolektiv në pronësi të familjes Bakija, e më pas e ka lëshuar atë vendim për leje ndërtimore.

 

Refuzohet kërkesa për hudhjen e aktakuzës ndaj drejtorit të Urbanizmit dhe bashkëpunëtorit profesional në Gjakovë