Gjykata e Gjakovës, FOTO-KALLXO.com

Caktohet 19 shkurti për gjykimin e drejtorit dhe bashkëpunëtorit në Drejtorinë e Urbanizmit

Drejtori i urbanizmit Arben Bakalli, bashkë me ish-arkitektin e tashmë bashkëpunëtorin profesional pranë kësaj drejtorie Agron Gojani, po akuzohen me akuza të ndërlidhura me korrupsion.

Në muajin janar të këtij viti, ishte anuluar seanca ndaj tyre për shkaqe objektive të trupit gjykues dhe e njëjta është caktuar me datën 19 shkurt pranë trupit me kryetar Mentor Bajraktari e anëtarë Ilir Rashkaj dhe Besnik Bislimaj.

Në këtë datë, planifikohet të dëgjohen dëshmitarë.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Agron Gojani kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, ndërsa Arben Bakalli ka nënshkruar dhe lëshuar vendimin për të ndërtuar në Kompleksin “Orize’ në Gjakovë.

Ata ishin deklaruar të pafajshëm.

Gjakovë, drejtori e arkitekti në gjyq për lejen e ndërtimit

Sipas aktakuzës, në muajin shkurt të vitit 2018, Agron Gojani në cilësinë e arkitektit pranë Drejtorisë për Urbanizën, ku paraprakisht kërkohej bashkimi i parcelave kadastrale, para fillimit të procedurave për leje ndërtimi, i akuzuari ka aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore duke lëshuar vendim me të cilën ka aprovuar kërkesën për ndërtimin e objektit kolektiv në 6 parcela në pronësi të familjes Bakija.

Aktakuza shpjegon se i njëjti ka keqpërdorur detyrën e tij me qëllim që të tjerëve t’i sjell dobi pasurore, në këtë rast Teuta Bakija si dhe t’i shkaktojë dëm të dëmtuarës Komunës së Gjakovës, duke vepruar në kundërshtim me Planin Urbanistik, ku sipas projektit ajo zonë ishte paraparë të jetë zonë gjelbëruese.

Ndërsa, drejtori i Urbanizmit në komunën e Gjakovës, Arben Bakalli ka keqpërdorur detyrën duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, ka nënshkruar vendim për kushtet ndërtimore për ndërtimin e objektit kolektiv në pronësi të familjes Bakija, e më pas e ka lëshuar atë vendim për leje ndërtimore.

Refuzohet kërkesa për hudhjen e aktakuzës ndaj drejtorit të Urbanizmit dhe bashkëpunëtorit profesional në Gjakovë