Gjykata e Gjakovës

Gjakovë, kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për falsifikim të dokumenteve

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar paraburgim për të dyshuarin me inicialet K. T., pasi dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘Mashtrim’.

Prokuroria ka njoftuar se me datë të pacaktuar e deri më 2 qershor 2021, i dyshuari K. T., ka përpiluar dokumente të falsifikuara me qëllim të shfrytëzimit si origjinal, për leje qëndrimi sllovene dhe për përfitim për vete apo dikë tjetër.

Nga të dëmtuarit me inicialet B. K., F..K., dhe L. R., kishte marrë shuma të maëdha parash, me vlerë mbi 11 mijë euro.

“Me urdhër të prokurorit të Shtetit pas aksionit të bastisjes së shtëpisë së tij  nga Njësiti i Hetimeve, i janë gjetur një leje qëndrimi sllovene dhe një folder me 7 vërtetime të transaksioneve të ndryshme . Me këto elemente, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, në të njejtën periudhë kohore, i dyshuari me anë të paraqitjes së rreme dhe duke i fshehur faktet, ka shfrytëzuar mosdijen e personave të tjerë lidhur me gjendjen reale, ka vënë në lajthim të dëmtuarit B. K., F. K., dhe L. R., duke i siguruar ata se do të iu rregulloje dokumentet për leje qëndrimi në Slloveni.

“Prokurori i rastit  ndaj të pandehurit K. T., ka bërë kërkesën për caktimin e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 02 qershor 2021”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.