Gërvalla në Këshillin e Sigurimit: UNMIK nuk luan më rol në vendin tonë

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka thënë se UNMIK nuk luan më rol në jetën e qytetarëve të Kosovës.

Gërvalla fjalimin e filloi duke potencuar se Evropa dhe bota nuk është më e njëjtë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

“Ky takim po zhvillohet në një kohë me zhvillime të reja ne Europë dhe botë, Europa që ekzistonte para pushtimit të Ukrainës nga Rusia, nuk është më. Prandaj, debati jonë sot nuk mund të jetë vetëm për UNMIK-un. Sa i përket prezencës së këtij misioni në Kosovë, unë mund vetëm të raportoj që të gjitha angjencitë e Kombeve të Bashkuara janë të respektuara dhe vlerësuara në Kosovë, sidoqoftë, sot kur flasim për UNMIK-un është një storje krejt tjetër”, tha shefja e diplomacisë kosovare.

“UNMIK nuk është një mision administrativ sepse Kosova ka qeveri, nuk është mision paqeruajtës pasi Kosova ka KFOR-in si garantues sigurie. UNMIK nuk luan më rol në jetën e qytetarëve dhe vendit tonë”, ka thënë Gërvalla.

Gërvalla po ashtu përmendi edhe faktin që Kosova është një realitet i njohur globalisht dhe se shumica e vendeve të BE-së dhe NATO-s e njohin pavarësinë e Kosovës.

Ajo shtoi se Kosova ka arritur një fazë të një demokracie më transparente.

“Pas zgjedhjes së Qeverisë së re, Kosova ka arritur një fazë të një demokracie më transparente e orientuar për luftim të krimit të organizuar dhe sundim të ligjit”, shtoi Gërvalla.

Ajo tutje potencoi se Kosova shënoi rritje ekonomike prej 10% në vitin 2021, më e madhja në rajon.

Në Këshillin e Sigurimit ministrja Gërvalla deklaroi se Kosova lindi si shtet nga gjenocidi që po kryente Serbia.

“Vendi jonë ka lindur nga një gjenocid i kryer nga Serbia, Kosova ka rezistuar me vite në formë të qetë. Njerëzit tanë e kanë bërë zgjedhjen shumë më parë, drejt Perëndimit. Serbia është destabilizuese në Ballkan dhe kërcënuese e paqes”, ka thënë Gërvalla.

Ajo përmendi edhe vrasjet e përdhunimet gjatë luftës në Kosovë.

Gërvalla foli edhe per armatosjen e Serbisë, ushtrimet e përbashkëta me Rusinë, sulmet ndaj policëve të Kosovës në veri të vendit, fushatën propagandistike të mediave e kërcënimet e shumta që po i bëhen Kosovës.