Gërvalla i drejtohet me letër Asamblesë së KiE-së: Do të përgatisim një draft për krijimin e një ‘mekanizmi për vetmenaxhim’

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz i ka dërguar letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”.

Sipas ministres së Jashtme, kjo letër është si vazhdimësi e zotimeve të tre krerëve të shtetit, presidentes Osmani, kryeparlamentarit Konjufca dhe kryeministrit Kurti.

“Letra përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës” – thuhet në postimin e Gërvallës në Facebook.

Sipas saj, ky draft do të shërbej për t’i integruar komunitetet joshumicë në të gjitha komunat e vendit.

“Drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundësimon ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin” – deklaroi ministrja e MPJD-së.

Në fund, ajo ka kërkuar nga Këshilli i Europës që të pranoj Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Europës.

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës nuk është vendosur në agjendën e mbledhjes së ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të kësaj organizate ndërkombëtare, që do të mbahet më 17.05.2024.

Kryeministri, Albin Kurti ka bërë të ditur më 08.05.2024 se Qeveria nuk e pranon Asociacionin si kusht për t’u bërë pjesë e Këshillit të Europës. Kjo kërkesë, sipas tij nuk është parimore e as vlerore, por është absurde.

Sipas Kurtit, draft-statuti nuk është dokument zyrtar, sepse është refuzuar nga Serbia më 26.10.2023 dhe si të tillë nuk mund ta dërgojë në Kushtetuese.

Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar më 16.04.2024, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Këta delegatë kanë miratuar raport-opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në KE.

Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.

Pas kësaj, hapi i fundit për këtë proces mbetet votimi nga ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare.