Gërvalla: Anëtarësimi i Kosovës në BE dhe NATO ia mbyll portën Rusisë

Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme, ka theksuar se Kosova dëshiron të jetë pjesë e organizmave të Bashkimit Evropian dhe Aleancës Veri-Atlantike.

“Kosova synon të jetë anëtare e BE-së dhe NATO-së dhe jemi duke bërë përpjekje për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kjo jo vetëm që është e mirë për ne por edhe për Perëndimin që ne të jemi pjesë e këtyre organizatave” –  tha ministrja Gërvalla në seminarin e 102-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën  “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme”, që po mbahet në Prishtinë.

“Nuk them që duhet BE-ja të na pranojë në gjirin e saj nesër, por nga aspekti gjeopolitik është me rëndësi që BE të mos heqë dorë sepse e lë portën hapur për Serbinë, Rusinë dhe të tjerët për të hyrë në hapësirën demokratike” – theksoi ajo.

Shefja e diplomacisë kosovare në fjalimin e saj në seminarin Rose-Roth kërkoi nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë një gjë të tillë, sepse, sipas saj, Kosova nuk duhet mbetur peng e narrativave ruse.

“Ju bëjmë thirrje që të dërgoni mesazh dhe të rreshtoheni me shumicën dërrmuese të demokracive në BE dhe NATO, dhe ju thërrasim që t’i dërgoni mesazh Serbisë dhe Rusisë që ne nuk duam të mbesim peng i narrativave nacionaliste të Serbisë dhe Rusisë, Kosova përdoret si armë nga Putini i një tentativë për të përçarë Perëndimin. Njohja e Kosovës është një dëshmi e angazhimit për liri dhe demokraci” – theksoi ajo.

Gërvalla theksoi se Bashkimi Evropian duhet që edhe në kuadër të dialogut ta ketë parasysh faktin që Serbia është rreshtuar krah Rusisë në luftën e saj me Ukrainën.

“Dialogu është me rëndësi në kuptim të përmbajtjes dhe nëse ndryshon realiteti, nuk nënkupton se nuk duhet të ndryshohet përmbajtja, nëse një prej palëve rreshtohet me kriminelët e luftës atëherë duhet pyetur çka tash, a mund të vazhdojmë tutje sikur nuk ka ndodhur asgjë. Evropa duhet të pajtohet me realitetin e ri, kemi të bëjmë me Rusinë agresive, kemi të bëjmë me një lidership serb që është agresiv”, tha ajo.

Sot po mbahet dita e dytë e seminarit Rose-Roth, i cili organizohet në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, nën udhëheqjen e kryetarit të Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s, deputetit Driton Hyseni, si dhe me përkrahjen e Qeverisë zvicerane e të Qendrës së Gjenevës për Qeverisje të Sektorit të Sigurisë (DCAF), së bashku me Komisionin për Ekonomi dhe Siguri.

Qëllimi kryesor i seminareve Rose-Roth është lehtësimi i dialogut që lidhet me çështjet e sigurisë rajonale, në mesin e ligjvënësve të NATO-s dhe vendeve partnere.