Gashi: PDK i kërcënoi me burgim ata që flisnin për vrasjen e Deharit

Autori i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, Kreshnik Gashi, që e përcolli nga afër rastin e vdekjes së aktivistit Astrit Dehari, foli lidhur me përzierjen e politikës në këtë rast.

Gashi duke iu referuar deklaratave të ish-Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, tha se nga politika pati kërcënime për ata që ngrisnin teorinë se Astrit Dehari është vrarë.

“Prokuroria i ka shërbyer një kauze të ngritur nga politika. Në momentin kur kemi pasur iniciativa prej mjekëve që kanë ardhur prej Anglisë me ngritë tezën e vrasjes prapë, me avoku që rasti me u hetu deri në fund, ka dalë Dhurata Hoxha dhe ka kërcënuar publikisht. Ajo ka thënë se kushdo që mendon që është jashtë vetëvrasjes kena me e thirrë prokurorinë e shtetit dhe me e shti në burg”, tha Gashi.

Ai shtoi se prokuroria nuk reagoi ndaj kësaj deklarate të Ministres.

“Kërcënimi i Ministres nuk është demantu prej Prokurorisë së Shtetit”, përfundoi Gashi.

“Kjo është arsyeja që prokurori ka vendosë me ja marrë rastin asaj prokurorie dhe me e pru në prokurori speciale”, ishte përgjigja e Prokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

Për këtë temë sonte flasin: Besim Kelmendi, Prokuror; Riza Shillova, Policia e Kosovës; Hilmi Jashari, Ombudsperson; Rifat Marmullaku ,OSBE; Fatmire Haliti, QKRMT dhe  Kreshnik Gashi, KALLXO.com.

Në linkun e mëposhtëm mund ta ndiqni emisionin e plotë:

Historiku i vdekjes së Astrit Deharit

 

Astrit Dehari, ishte gjetur i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në fillim të nëntorit të vitit 2016.

Ai po mbahej në paraburgim në lidhje me dyshimet për sulmin i cili kishte ndodhur në gusht të vitit 2016, ndaj Kuvendit të Kosovës.

Tre muaj pas këtij sulmi në qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana të paqarta kishte vdekur 26 vjeçari Astrit Dehari.

Deklaratat e para pas vdekjes së Deharit ishin se i njëjti kishte përdorur medikamente dhe kishte vrarë veten, ndërsa më pas deklaratat ndryshuan në atë se i njëjti kishte probleme me frymëmarrje.

Dy vjet më pas, vdekja e Deharit ende ka mbetur mister edhe pse në fillim dolën disa versione se Astrit Dehari i kishte marrë jetën vetes.

Prindërit e Deharit së bashku me subjektin politik të cilës i takonte djali i tyre Astriti, kanë ngritur gjatë gjithë kohës pikëpyetje duke e drejtuar gishtin pushtetit, madje duke e quajtur vdekjen e Astritit edhe si vrasje.

Për t`i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astritit, prindërit dhe avokati Tomë Gashi kërkuan ekspertizë nga Instituti i Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Ky institut pas analizimit të të gjitha provave dhe pas pranimit të dosjeve me dëshmi e deklarata për vdekjen e Astrit Deharit, në raportin e dërguar në Kosovë në muajin tetor, nuk ka përjashtuar mundësinë që Astrit Dehari të jetë vrarë.