Gashi: Mos e politizoni çështjen e të pagjeturve, fajtore është vetëm Serbia

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi gjatë seancës plenare u shpreh se nuk duhet të ketë përqarje në çështjen e trajtimit të të pagjeturve, duke kërkuar nga kolegët e tij që bëhen unik përballë Serbisë.

“Kjo është një temë jashtëzakonisht e ndjeshme dhe trajtimi i saj mbi idenë e politizimit është vetëm edhe një hap tjetër, drejt turpit të përbashkët të përdorimit për interesa ditore politike të një çështje kaq të dhimbshme nacionale. Pra, personat e pagjetur dhe fati i tyre, dhimbja e familjeve dhe shoqërisë kosovare të përdoret për interesa politike me argumente të paqena, pajtona që është një turp i madh. Personat e pagjetur sot po trajtohen këtu nga një këndvështrim i gabuar, për personat e pagjetur ka vetëm një fajtor, është shteti i Serbisë, jo regjimi i Millosheviqit, por shteti i Serbisë, sepse ato vrasje, ato zhdukje janë kryer nga shteti i Serbisë, ata kanë përgjegjësinë”, tha Gashi.

Deputetja e PDK-së, Besa Ismaili akuzoi Qeverinë për neglizhencë ndaj familjarëve të personave të pagjetur.

“Mungesa e informacioneve, transparencës janë dy çështje që janë neglizhuar që krahas prurjeve dhe hapjeve të mëdha institucionale në këtë drejtim sidomos në punën e ekipeve dialoguese në bisedimet me Serbinë”, tha Ismaili.

Kurse, deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu lidhur me fatin e të pagjeturve dhe krimin e kryer nga Serbia përmendi faktin që udhëheqësit e UÇK-së po gjykohen në Hagë.

“Jemi dëshmitarë që para dy ditësh, u hap një varrezë masive në Serbi, dhe sa kam informata nga aty janë nxjerrë 16 trupa shqiptar të vrarë e të masakruar në luftën e fundit në Kosovë. Pas 20 viteve u hap një prej varrezave në Serbi, ndërsa në Hagë po gjykohen ata që bënë të pamundurën për të mbrojtur token dhe njerëzit e vendit të vetë. Për të mbrojtur edhe këta 16 shqiptar si shumë e shumë të tjerë që nuk kanë gjetur ende. Dhe ata padrejtësisë po gjykohen, vetëm pse ishin ushtarë të luftës së drejtë të UÇK-së. Këta shqiptarë të pambrojtur që u masakruan në Kosovë, u barten u varrosen në tokën e armikut kurse, luftëtarët tanë luftuan për tokën e vet”, u shpreh ajo.

Kuvendi i Kosovës po mbanë punimet me pikën e tretë rendit të ditës që është interpelanca e kryeministri Avdullah Hoti për çështjen “trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”.