Sulmi ndaj ekipit të 'Nacionales' në Prizren, aktakuzë ndaj dy personave

Prokuroria ka ngritur aktakuzë kundër dy të dyshuarve për sulmin ndaj ekipit të gazetës “Nacionale” në protestën kundër festivalit të filmit DokuFest.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja në Prokurorinë e Prizrenit, Fitore Mehmeti- Sejrani.

Protesta e mbajtur më 11 gusht 2023, ishte “revoltë” ndaj performancës së mbajtur në këtë festival në përkrahje të komunitetit transgjinor.

Gjatë kësaj proteste ishte  sulmuar fizikisht edhe ekipi i gazetarëve të gazetës “Nacionale” derisa, KALLXO.com ka siguruar pamje kur një protestues tentonte t’i pengojë gazetarët që po raportonin nga protesta.

Sipas Prokurorisë të pandehurit A. K., dhe E. A., dyshohen për veprën penale të sulmit.

Në aktakuzë thuhet se A. K., në sheshin “Shatërvan”, saktësisht përballë xhamisë “Sinan Pasha” në Prizren me dashje përdorë forcën ndaj të dëmtuarve V. K., dhe A. L.

Tutje thuhet se derisa i dëmtuari V. K., në cilësinë e gazetarit ishte duke intervistuar qytetarët lidhur me protestën pasi ia ofron mikrofonin të pandehurit A. K., me qëllim për ta intervistuar i pandehuri në shenjë revolte e shtynë me duar të dëmtuarin dhe i drejtohet me fjalët “ik o pedofil se po të…”.

Pasi protestuesit bëjnë rezistencë aty afrohet edhe i pandehuri A. K., i cili sërish e sulmon të dëmtuarin  V. duke e shtyrë me duar furishëm e pastaj e sulmon edhe të dëmtuarin A. L., i cili në atë moment ishte duke xhiruar me kamerë ku e godet dy-tre herë në pjesën e pasme të qafës por që nga ky sulm nuk kishin pësuar lëndime të dukshme trupore, sipas prokurorisë.

Me këtë i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale sulmi.

Në akuzë tutje thuhet se E. A., me dashje e përdor forcën ndaj të dëmtuarit V. K., derisa i dëmtuari në cilësinë e gazetarit të gazetës “Nacionale” ishte duke intervistuar qytetarët lidhur me protestën e organizuar kundër festivalit “DokuFest” ashtu që gjatë intervistës i pandehuri E. si pjesë e protestës, në shenjë revolte me duar e shtynë furishëm të dëmtuarin V., me qëllim që ta largoj nga turma, por që nga ky sulm i dëmtuari V. K., nuk pëson lëndime të dukshme trupore sipas Prokurorisë.

Me këtë i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale të sulmit.