Maja e Hasanit, Pejë

(FOTO) Vazhdon zjarri në malet e Pejës, dyshohet se u shkaktua nga qytetarët

Zjarri në një zonë të maleve të Pejës ka vazhduar edhe sot përderisa ekipet kanë dalë për ta lokalizuar dhe shuar atë.

KALLXO.com mbrëmë ka raportuar se zjarri ka përshirë një pjesë të maleve të Pejës, në zonën e njohur si “Maja e Hasanit”.

Ndërkaq edhe sot qytetarët kanë dërguar fotografi me tymin që duket në atë pjesë.

Drejtori i Parkut Kombëtar ”Bjeshkët e Nemuna”Fatmir Morina ka thënë për KALLXO.com se ky zjarr është sipërfaqësor dhe se dyshohet që atë e kanë shkaktuar qytetarët.

“Si duket nga qytetarët e pandërgjegjshëm, nga mos kujdesi i tyre dje për shkak se në atë pjesë dje ka pas piknik, e kanë keqpërdor këtë punën e daljes në natyrë, dje ka pas njerëz në atë zonë. Ndërsa sot prej mëngjesit jemi njoftuar prej përgjegjësit të njësisë se prap ka pas shkëndija zjarri. Është një zjarr sipërfaqësor që nuk ka dëme këshut në pyje por i cili ka vazhduar ende”, tha ai.

Morina shtoi se zjarrëfikësit janë duke bërë përpjekje ta shuajnë atë.

“Sa kam unë informacione kanë dalë njësia e zjarrëfiksëve prap dhe me gjasë do të lokalziohet sepse po digjet vetëm bari, po flas sipas raportimeve të punëtorëve të mi. Vetëm është pak vështirë se është terreni nalt dhe nuk mund të shkojnë makineritë, kështu që ata do të shkojnë me pompa të shpinës që i kanë”, shtoi ai për KALLXO.com.