FOTO: Policia vihet në kërkim të personave që gjuajtën me armë, bllokon rrugët në Prishtinë

Policia e Kosovës ka bllokuar rrugën “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet. Ata po kërkojnë provat pasi aty dyshohet, se rreth orës 21:00 dy persona kanë shtënë me armë ndaj një personi tjetër derisa ishin në skuter.

Fotografitë nga vendi i ngjarjes tregojnë se forcat e rendit kanë bllokuar rrugën dhe po hetojnë rastin.

Për ngjarjen ka foluar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha. Ai tha se forcat e rendit janë në vendngjarje.

“Me 24.08.2020 rreth orës 21:20 Policia ka pranuar një informatë se në Prishtinë në rrugën “Dëshmoret e Kombit” ka të shtëna me armë. Njësitë relevante të stacionit policor “Jugu” iu janë përgjigjur menjëherë informatës dhe kanë dalur në vendin e ngjarjes”, ka thënë Hoxha për KALLXO.com.

Personi nuk ka pësuar asnjë lëndim ndërsa forcat e rendit kanë dal në vendin e ngjarjes.

“Njësitë policore në vendin e ngjarjes kanë hasur në personin mashkull, i cili ka deklaruar se deri sa ishte duke dalur nga nje market, dy persona të panjohur të cilët kishin qenë në një skuter, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij. Sipas tij ai ka dëgjuar rreth 5 të shtëna, por nuk është qëlluar. Nuk raportohet për viktima tjera deri ne këtë moment. Policia janë ende në vendin e ngjarjes duke ndërmarr veprime operacionale dhe hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti”, ka thënë zëdhënësi i forcave të rendit, Daut Hoxha.