Formohet Grupi i Deputetëve të Gjelbër në Kuvendin e Kosovës

Pas më shumë se 1 vjet e gjysmë të krijimit të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, është formuar Grupi i Deputetëve të Gjelbër në kuadër të Kuvendit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Haki Abazi, duke konfirmuar se do të jetë ai udhëheqës i këtij komisioni.

“Është një fitore e vogël që është bë mbrëmë, pas 1 vit e gjysmë insistim, kam arritur të marrë nënshkrimet e nevojshme për krijimin e Grupit të Deputetëve të Gjelbër në Kuvend, që do ta udhëheqë unë. Kjo është bërë me një punë të jashtëzakonshme, mirëpo për arsye të ndryshme nuk është arritur të formësohet ideja. Përfundimisht ka mbaruar dje në seancën e parlamentit” – ka thënë Abazi për KALLXO.com.

Ai ka shtuar se Grupi i Deputetëve të Gjelbër do të jetë një dritare e hapur për bashkëpunim dhe avancim të debatit me shoqërinë civile dhe aktivistët e mbrojtjes së mjedisit.

Që nga 3 tetori KALLXO.com ka dërguar pyetje te shefat e grupeve parlamentare duke kërkuar të di se pse nuk po formohet Grupi i Deputetëve të Gjelbër që kishte ekzistuar në legjislaturat e përparme.

Me 3 tetor KALLXO.com ka dërguar pyetje te Mimoza Kusari – Lila, Abelard Tahiri, Arben Gashi, Besnik Tahiri dhe Enis Kervan shef i grupit multietnik. Ndërsa tek sot me 15 tetor paralajmërohet zhbllokimi për formimin e grupit.

Deputeti Arben Gashi me 3 tetor kishte thënë se nuk është në dijeni pse nuk ishte formuar grupi, ndërsa Kervan ka thënë se nuk iu është kërkuar ndonjë emër për formimin e këtij grupi dhe se nuk ka informata pse nuk është formuar.

Kurse Albena Reshitaj, e cila ka qenë anëtare e këtij grupi në legjislaturën e kaluar të Kuvendit, për KALLXO.com ka thënë se nuk ka informata.

“Nëse mundesh me e pyet kryetaren e Komisionit për Mjedis, Fitore Pacollin, se kanë qenë në fillim atëherë në biseda për me formu” – ka thënë Reshitaj.

E deputetja Fiitore Pacolli fillimisht me 10 tetor ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me shkrim, të cilave nuk iu ishte përgjigjur, e më pas me 13 tetor përmes telefonit ka kërkuar kohë për tu përgjigjur.

“Jam duke pritur një konfirmim prej Komisionit, po provoj të jap përgjigje nesër, sepse nuk varet vetëm prej meje” – kishte thënë përmes telefonit Pacolli.

KALLXO.com gjithashtu ka dërguar pyetje me 3 tetor te kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe stafi i tij, por të njejtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Ky grup është jo formal dhe synon të ketë një rol më aktiv për zbatimin e politikave publike dhe legjislacionit në lidhje me mjedisin.

Ky grup pritet të përbëhet nga 13 anëtarë nga secila parti politike parlamentare.