Foto: ‘PriFest’ 2023.

Fituesit e ‘PriFest’ 2023, ‘The Land Within’ dhe ‘Blaga’s Lessons’ ndajë çmimin ‘Vjosa Berisha’

Filmat “Toka brenda meje” (The Land Within) i regjisorit Fisnik Maxville (bashkëprodhim Kosovë-Zvicër) dhe “Blaga’s Lessons” nga Stefan Kumandarev (Bullgari), kanë ndarë Çmimin ‘Vjosa Berisha” – Hyjnesha e Kuqe për filmin më të mirë Ballkanik, në edicionin e 15-të të Festivalit “Prishtina International Film Festival” – PriFest.

Edicioni i 15-të i “PriFestit” është mbyllur të dielën, më 17.9.2023, me ndarjen e  çmimeve për fituesit e festivalit.

Çmimin për “Filmin më të mirë të shkurtër” e mori filmi “Road triper” i Christophe Granger (Francë); çmimin për “Filmin më të mirë të metrazhit të mesëm” e mori filmi “Si në vaj” i Aulona Selmanit (Zvicër). Çmimi “Hyjnesha e Artë për aktoren më të mirë” shkoi për Eli Skorcheva për filmin “Blaga’s Lessons” (Bullgari). Çmimi “Hyjnesha e Artë për aktorin më të mirë” shkoi për vëllezërit binjak Edgar dhe Rafael Morais për rolin në filmin “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” (Shqipëri).

Çmimi “Hyjnesha e Artë për regjinë më të mirë” u nda mes regjisorëve Fisnik Maxville dhe Stefan Kumandarev. Çmimin “Hyjnesha e Artë,  Çmimin e  “PriFest-it” për arritje vjetore në kinematografi për kineastin vendor” e mori producenti Valon Bajgora, ndërsa “Mirënjohje speciale për filmin e shkurtër” shkoi për “Home Of The Heart” nga Sarah Saidan (Francë).

Po mbrëmë janë dhënë edhe çmimet e “PriForum-it”.

Çmimi ‘Best Pitch -Vanessa Redgrave” në vlerë prej 1000 euro shkoi për “Big In Gazi Baba” nga Maqedonia e Veriut dhënë nga Neptun. Mbështetje tekinike ‘Color Grading in Services’ në vlerë prej 10 mijë euro nga “In My Country Postproduction House” shkoi për “Happy family” (TURKI), ndërsa po 10 mijë euro mbështetje teknike, “Final Mix in Sound Postproduction in Services” nga “In My Country Postproduction House” shkuan për “Everybody dies on the news” (Bulgaria).

Çmimi prej 1000 euro nga “Izrael projects” shkoi për “Second wife”, Çmimi “Ikone studio prize” në vlerë prej 7 mijë euro po për pajisje teknike (pajisje kamere) shkoi për “Lucky us” (Kosovo), ndërsa Çmimi i Qendrës Kinematografike të Kosovës për filmin më të mirë në vlerë prej 3000 euro iu nda filmit “Medusa” – Shqipëri (1500 euro) dhe “I must go down by the sea again” – Kosova (1500 euro0.

Edicioni i 15-të i “PriFestit”-it është mbajtur prej 12 deri më 17 shtator 2023.