Rrahja në Kuvend, reagon PDK: U sulmuan deputetët tanë

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas përleshjes fizike e cila ndodhi mes deputetëve opozitarë, ministrave e deputetëve të pozitës në Kuvendin e Kosovës,

Në reagimin e tyre thonë se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin e PDK-së Mërgim Lushtaku.

“Sikur të mos u mjaftonte fyerja që i bënë shtetit të Kosovës, veteranëve të UÇK-së, akterëve politik shqiptarë, popullit të Kosovës, para shërbëtorëve të Radojçiqit, sot, në Kuvendin e Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në vend që të ndihej i turpëruar dhe të jepte llogari për përgjimet, provokoi opozitën duke i hequr fotografinë që ata i vendosën në foltore” – thuhet në reagimin e PDK-së.

PDK thotë se Kryetari i Kuvendit u bëri thirrje Policisë së Kosovës që të ndërhyjnë dhe “të arrestojnë deputetët e opozitës”.

“Futja e Policisë së Kosovës në Kuvend nuk është lejuar të ndodhë as në momentin më të errët në historinë e Kuvendit të Kosovës, kur Lëvizja Vetëvendosje hidhte gaz lotsjellës dhe rrezikonte jetën e deputetëve”

“Tani, gjithçka është e qartë. Kjo Qeveri, ky kryeministër, ky pushtet, shihet qartë se duke tentuar të fshehë koordinimin dhe bashkëpunimin me Millan Radojçiqin, po përdorë çdo mjet, edhe dhunën, ndaj deputetëve opozitarë. Ky Kuvend dhe kjo Qeveri nuk kanë më kurrfarë kuptimi dhe asnjëlloj kredibiliteti” – thonë nga PDK.

“Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja, nga të cilat, qytetarët me votën e tyre do të zgjedhin një Qeveri kredibile e cila do ta kthej vendin në rrugën e duhur drejt integrimit euro-atlantik” – shton tutje.

Gjatë kohës sa ishte duke dhënë fjalim kryeministri Albin Kurti ka ndodhur një përplasje fizike.

E gjithë kjo nisi kur deputetja e PDK-së Ganimete Musliu vendosi një foto në foltoren e Kuvendit, përderisa Kurti po deklarohej, një fotografi të kreut të ekzekutivit më hundë të madhe.

Më pas zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është ngritur nga karriga e tij dhe ka grisur fotografinë.

Pas këtij veprim, deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku i cili hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti dhe zëvendëskryeministrit Bsilimi, në mbrojtje të së cilit erdhi ministri i Financave Hekuran Murati.

Lushtaku shihet duke e shtyrë fizikisht ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun. Ndërkaq deputeti i PDK-së, Hajdar Beqaj shihet duke goditur fizikisht ministrin Murati.