Fillon seanca ndaj të dyshuarit për vrasjen në Prizren

Prokurorja e Prokurorisë së Prizrenit, Ervehe Gashi ka konfirmuar për KALLXO.com se ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarin për vrasjen e gruas së tij.

“Kam bërë dje kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj  të dyshuarit”, ka thënë Gashi.

Ajo tutje ka treguar për KALLXO.com se tani po fillon të mbahet seanca ndaj të dyshuarit për vrasjen e gruas së tij.

Gjatë ditës së djeshme, KALLXO.com ka raportuar për vrasjen e cila ndodhur në Prizren mbrëmjen e 6 gushtit.

Gruaja nga Prizreni dyshohet se është qëlluar për vdekje me 15 plumba nga bashkëshorti i saj.

Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, gjatë ditës së djeshme ka dhënë për KALLXO.com detaje se si ka ndodhur rasti, duke treguar se i dyshuari ka telefonuar vetë policinë pasi dyshohet se e ka vrarë bashkëshorten e tij.

“Vet i dyshuari e ka telefonuar policinë mbrëmë rreth orës 23:00, dhe ka raportuar se e ka vrarë bashkëshorten e tij. Megjithatë ende nuk e kam pranuar deklaratën e tij që e ka dhënë në polici dhe ende nuk dihet motivi i saktë i vrasjes”, ka thënë Gashi.

Ajo tutje ka shtuar se është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes, ku janë gjetur më shumë se një gëzhojë.

Tutje, prokurorja ka bërë të ditur se ka verifikuar nëse nga viti 2005 e deri më tani  ka ndonjë rast të paraqitur për dhunë në familje nga viktima, por e njëjta ka thënë se nuk ka gjetur një rast të tillë.

Për vrasjen në Prizren ka reaguar edhe kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj,

Ai, nëpërmjet një statusi në “Facebook” i ka shprehur ngushëllime këshilltares në kabinetin e kryeministrisë, Diellza Hoti.

“Thellë i prekur nga vdekja tragjike e Armenda Aliut, mikes sonë dhe nënës së koleges nga kabineti Diellza Hoti. Ngushëllime familjes dhe miqve. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, ka shkruar Haradinaj.

KALLXO.com do të ju mbajë të informuar për vendimin e Gjykatës ndaj të dyshuarin për vrasjen në Prizren.