61 vjeçari telefonoi policinë: "E kam vrarë gruan"
Një vrasje e rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:00, në Prizren.
Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, ka dhënë për KALLXO.com detaje se si ka ndodhur rasti, duke treguar se i dyshuari ka telefonuar vetë policinë pasi dyshohet se e ka vrarë bashkëshorten e tij.
“Vet i dyshuari e ka telefonuar policinë mbrëmë rreth orës 23:00, dhe ka raportuar se e ka vrarë bashkëshorten e tij. Megjithatë ende nuk e kam pranuar deklaratën e tij që e ka dhënë në polici dhe ende nuk dihet motivi i saktë i vrasjes”, ka thënë Gashi.
Ajo tutje ka shtuar se është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes, ku janë gjetur më shumë se një gëzhojë.
“Trupi i viktimës është dërguar në IML, ndërsa i dyshuari është në ndalim për 48 orë dhe do të kërkohet masa e paraburgimit ndaj tij”, ka thënë prokuroria.
Tutje, prokurorja ka bërë të ditur se ka verifikuar nëse nga viti 2005 e deri më tani ka ndonjë rast të paraqitur për dhunë në familje nga viktima, por e njëjta ka thënë se nuk ka gjetur një rast të tillë.
KALLXO.com raportoi sot në mëngjes për vrasjen në Prizren.
Policia ka njoftuar se pas intervenimit nga policia dhe emergjenca e Prizrenit të cilët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes është konstatuar për lëndimin e një gruaje për të cilën mjeku ka konstatuar vdekjen si pasojë e lëndimit nga arma e zjarrit.
“Njësitë e hetimeve dhe krim teknika në vendin e ngjarjes kanë gjetur viktimën si dhe 15 gëzhoja të kalibrit 9 mm. Me vendim të prokurorit është bastisur shtëpia e personit të dyshuar dhe policia ka arritur të gjejë armën e tipit revole ZIG M1, të kalibrit 9 mm si dhe 42 fishekë të kësaj armë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Tutje policia ka bërë të ditur se i dyshuari me të njëjtën armë ka kryer veprën penale të ‘vrasjes së rëndë’.
“I dyshuari dhe viktima kanë qenë bashkëshortë. Në këtë rast është ndaluar në afat prej 48 orë personi i dyshimtë B.V, 61 vjeçar. Me vendim të prokurorit të shtetit trupi i pajetë është dërguar në IML për procedura të mëtutjeshme hetimore”, njofton policia.