PDK propozon komision hetimor parlamentar për rastin e Gani Jakupit, thonë se ka edhe të tjerë

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri ka propozuar themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për rastin e kontratës së Ministrisë së Punëve të Jashtme me Gani Jakupi .

Ai ka thënë se PDK është në dijeni se ka raste të tjera të personave që janë angazhuar njëjtë si Gani Jakupi.

“Sot diskutuam për seancën e radhës që do të mbahet ditën e enjte dhe për agjendën e saj, si Grup Parlamentar i PDK-së kemi propozuar themelimin e dy komisioneve hetimore. Njërin për hetim parlamentar në kuadër të MPJD-së, pasi kemi pasur fakte të mjaftueshme për degradimin e shërbimit diplomatik po ashtu mediat kanë zbuluar një sërë kontratash për njerëz të angazhuar me shuma marramendëse që s’ka ndodhur më herët si rasti i Gani Jakupit, paga e të cilit kalon çdo limit e standard në Kosovë. Kemi raste të tjera për persona që janë të punësuar si Gani Jakupi, siç është Strasburgu etj”, theksoi Tahiri.

Angazhimi i Gani Jakupit si konsulent i jashtëm për Ambasadën e Kosovës në Bruksel ka nxitur reagim në opinionin publik lidhur me vlerën e pagës së tij.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN Kosova përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka arritur të sigurojë kontratën e Gani Jakupit e cila është lidhur për periudhën qershor 2023 – qershor 2024.

Sipas dokumentit, çmimi i tërësishëm i kësaj kontrate është 90 mijë euro bruto dhe paguhet në 12 këste të barabarta nga 7 mijë e 500 euro.