Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

A ka a s’ka kontrata tjera të ngjashme si ajo e Gani Jakupit?

Kosova ndër vite ka shpenzuar shuma të konsiderueshme të parave për të lobuar për njohje të reja në shtete që se njohin Pavarësinë e 17 shkurtit 2008, apo janë dhënë kontrata lobimi për ngritjen e imazhit të Kosovës si shtet edhe në vendet njohëse.

Këto kontrata të dhëna në forma të ndryshme janë prej më të përfolurave, por në të njëjtën kohë ato që institucionet qendrore mundohen t’i mbajnë më së shumti fshehtë.

Opozita, saktësisht Partia Demokratike e Kosovës (PDK) të premten ka ngritur një çështje në lidhje me kontratat e lobimit, siç është ajo e Gani Jakupit, duke kërkuar themelimin e një komisioni hetimor parlamentar.

Nga PDK supozojnë që Ministria e Punëve të Jashtme ka dhënë edhe kontrata tjera të llojit si me Gani Jakupin për shërbime lobuese me shuma “marramendëse” në vende si Strasburgu e të tjera – vende që nuk janë përmendur veç e veç.

“…pasi kemi pasur fakte të mjaftueshme për degradimin e shërbimit diplomatik po ashtu mediat kanë zbuluar një sërë kontratash për njerëz të angazhuar me shuma marramendëse që s’ka ndodhur më herët si rasti i Gani Jakupit, paga e të cilit kalon çdo limit e standard në Kosovë”- ka thënë shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri.

Në dhjetor të vitit 2023, KALLXO.com përmes qasjes në dokumente publike kishte kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme që të ketë qasje në të gjitha kontratat për këshilltarë mediatik dhe kulturor, ashtu siç titullohet pozita e Gani Jakupit.

Nga Ministria kishin thënë që gjatë periudhës kohore 2022/2023 në Misionet Diplomatike të Republikës së Kosovës nuk ka pasur asnjë konsulentë të jashtëm të angazhuar për çështje kulturore dhe mediatike, përpos Gani Jakupit.

“Kjo kontratë është lidhur duke respektuar të gjitha procedurat e parapara me ligj, dhe në kuadër të shtimit të kapaciteteve për të depërtuar tek disa shtete të caktuara, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, si dhe për të ofruar konsulencë të mirëfilltë në fushën e diplomacisë publike dhe kulturore”- kishin thënë nga Ministria.

Por, nëse janë dhënë kontrata të tilla të tjera gjatë janarit të këtij viti, MPJD nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara nga KALLXO.com deri në publikimin e këtij artikulli.

Beteja e KALLXO.com për të marrë kontratën e Gani Jakupit zgjati gati një muaj.

Pas këmbënguljes së madhe e përmes Agjencisë për Informim dhe Privatësi më 27 dhjetor KALLXO.com-it iu kishte dhënë qasje në këtë kontratë të shumëpërfolur.

Kontrata është lidhur për periudhën qershor 2023 – qershor 2024.

Çmimi i plotë i kësaj kontrate është 90 mijë euro bruto dhe paguhet në 12 këste të barabarta nga 7 mijë e 500 euro.

Sipas dokumentit, objekti i kësaj kontrate është ofrimi i shërbimeve të konsulencës, këshillimit dhe aktiviteteve të ngjashme me qëllim të krijimit, zhvillimit dhe përforcimit të imazhit kulturor e mediatik të Kosovës me fokus të veçantë në shtetet e Beneluksit (Belgjikë, Holandë, Luksemburg).

Përveç kësaj, obligim i kontratës është edhe ofrimi i shërbimeve që kryhen herë pas herë në vendet e rajonit për qëllim që të kenë ndikim te gazetarët dhe figurat mediatike, krijuesit e opinionit publik, menaxherët e institucioneve dhe fondacioneve kulturore, drejtuesit e festivaleve, drejtuesit e galerive të artit, sipas specifikimeve në aneksin e kësaj kontrate.

Përveç kësaj, Ambasada në Belgjikë e udhëhequr nga Agron Bajrami, i paguan konsulentit shpenzimet e arsyeshme të udhëtimit dhe hotelit lidhur me ofrimin e shërbimeve të kontraktuara nga palët.

Jakupi merr përsipër dërgimin e faturave se bashku me një sqarim se për cilin aktivitet janë kryer shpenzime.

Në anën tjetër, Abelard Tahiri tha të premten se sa ka qenë në pushtet Partia Demokratike e Kosovës, nuk janë dhënë kontrata të tilla.

Në vitin 2019 kur ministria e Integrimeve Evropiane e udhëhequr nga Dhurata Hoxha nga radhët e PDK-së kishte nënshkruar një kontratë për lobim me kompaninë nga Parisi e cila në fund kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi.

Hulumtimi kishte zbardhur se në vitin 2019 Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës i pagoi 168,000.00 euro kësaj kompanie me seli në Paris.