Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gërvalla për Komisionin hetimor për punësime në MPJD: PDK po dëshiron ta diskreditojë Hoxhajn

Kuvendi i Kosovës ka themeluar Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Ministrja Donika Gërvalla ka thënë se kërkesa e PDK-së për themelimin e këtij komisioni duket më shumë si luftë e brendshme e kësaj partie se sa që ka të bëj me punën e ministres.

Ajo ka thënë se të gjitha faktet që do të shfaqen gjatë punimeve të këtij komisioni do të krijojnë pasqyrë të qartë se çfarë ka ndodhur ndër vite në këtë ministri.

Gërvalla ka paralajmëruar se ka vendime të panumërta të mëparshme ku nuk janë zbatuar kriteret e konkurseve.

Ndërsa, sipas saj, kërkesa që ka ardhur për këtë komision është pjesë e luftës së brendshme brenda PDK-së për të diskredituar persona të caktuar, konkretisht ish ministrin Enver Hoxhaj.

“Me vete kam vendime të panumërta të mëparshme ku jo vetëm nuk janë zbatuar kriteret e konkurseve, por as edhe një kriter i punësimit bazuar në ligjet ekzistuese. Me të njëjtin vendim, ish-ministri Enver Hoxhaj edhe e emëron anëtar të shërbimit të jashtëm personin, edhe ia cakton gradën konsull edhe ia cakton emërimin në misionin ku ka shkuar. Mos të flasim për emërimet që kanë ndodhur nëpër oda, nëpër kafe dhe që kanë qenë pjesë e pazareve në prag të zgjedhjeve. Pavarësisht nga vjen kërkesa dhe me cilat motive, kjo kërkesë që ka ardhur për këtë komision më krijon përshtypjen sikur është pjesë e luftës së brendshme brenda PDK-së për të diskredituar persona të caktuar, si Enver Hoxhaj, se sa që ka të bëjë me mua personalisht”- ka thënë Gërvalla.

Më 62 vota për Kuvendi i Kosovës ka themeluar sot këtë komision të propozuar nga PDK-ja.

Shefi i Grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri kur propozoi themelimin e këtij Komisioni në fund të javës së parë të shkurtit, e arsyetoi duke thënë që kanë informata që ka edhe persona të tjerë të cilëve u janë dhënë kontrata të ngjashme si ajo e Gani Jakupit.

Nga Ministria kishin thënë për KALLXO.com që gjatë periudhës kohore 2022/2023 në Misionet Diplomatike të Republikës së Kosovës nuk ka pasur asnjë konsulentë të jashtëm të angazhuar për çështje kulturore dhe mediatike, përpos Gani Jakupit.

Ndërkaq, edhe pse KALLXO.com ka dërguar pyetje nëse ka kontrata tjera pas dhjetorit, pavarësisht këmbënguljes ende nuk ka marrë përgjigje.

Më 27 dhjetor KALLXO.com kishte arritur që përmes rrugës ligjore të ketë qasje në kontratën e Gani Jakupit. Kjo u bë e mundshme pas kërkesave të shumta për të pasur qasje në këtë kontatë dhe pasi rasti u dërgua edhe në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Kontrata është lidhur për periudhën qershor 2023 – qershor 2024. Çmimi i plotë i kësaj kontrate është 90 mijë euro bruto dhe paguhet në 12 këste të barabarta nga 7 mijë e 500 euro.