'Fëmija im sapo ngriu për vdekje' - Zemërimi në Turqi është më i madh se dhimbja pas tërmetit katastrofik atje

Dy tërmetet që goditën rajonin juglindor të Turqisë të hënën në mëngjes (6 shkurt) ishin vetëm një pjesë e një tragjedie të përhapur. Në çdo masë, tërmeti ishte një fatkeqësi dhe do ta kishte shkatërruar secilin vend. Megjithatë, populli i Turqisë është i ndarë mes dhimbjes së shkaktuar nga një fatkeqësi natyrore dhe zemërimit të tyre të drejtë ndaj paturpësisë së një regjimi të korruptuar. Numri në rritje i të vdekurve, dëmet e pabesueshme dhe mungesa befasuese e ndihmës nuk mund të shpjegohen vetëm nga përmasat e katastrofës. Tërmeti është një tragjedi; por mungesa e përgatitjes për fatkeqësitë, planet inekzistente të krizave dhe neglizhenca e pashpirt e qeverisë janë krime.

Gjatë qeverisjes së tij 20-vjeçare, presidenti Recep Tayyip Erdoğan është paralajmëruar pafundësisht nga sizmologët dhe inxhinierët për standardet e dobëta të ndërtimit të shumë ndërtesave turke. Në këmbim, të njëjtit u heshtën nga mediat kryesore të Turqisë. Dhe ja ku jemi sot: ndihma nuk mund të arrijë në qytetet e shkatërruara, sepse rrugët dhe aeroportet, të ndërtuara nga kompani që nuk kanë asnjë meritë tjetër veçse të jenë mbështetës të Erdoganit, janë shkatërruar.

I gjithë vendi, me përjashtim të mbështetësve më të devotshëm të regjimit, po pyet se çfarë ndodhi me të gjitha paratë e taksave të tërmetit që ata i paguanin shtetit që nga tërmeti shkatërrues i vitit 1999. (Disa përdorues të mediave sociale i përgjigjen pyetjes vetëm duke postuar pallatin gjigant që Erdoğan e ndërtoi për vete.) Dhe, ndryshe nga fatkeqësia e vitit 1999, nuk ka asnjë media kryesore që mund ta tregojë këtë histori sot pas dekadash lirie gërryese të mediave atje. Dy gazetarë turq tashmë po hetohen pe patën guximin ta kritikojnë reagimin e regjimit të Erdoganit pas tërmetit.

Numri i të vdekurve ka arritur në 8,500 vetëm në Turqi ndërkohë që 2,500 të tjerë janë të vdekur në Siri (Shënim i përkthyesit: Shifra aktuale e vdekjeve në Turqi është 12,873 ndërsa në Siri  2,900). Mediat sociale janë përplot me thirrje për ndihmë, mesazhe të dëshpëruara të shkruara nga poshtë rrënojave, duke i ndarë adresat dhe numrat e tyre të telefonit, duke lutur që të nxirren prej aty. Disa orë më vonë, këto thirrje për ndihmë ndalojnë, me gjasë ata vdesin. Një grua, e cila kaloi një natë nën rrënoja, në mëngjes herët postoi: “Fëmija im sapo ngriu për vdekje”. Pas 24 orësh, ka ende qytete ku ndihmat nuk mund të arrijnë. Gjashtë orët e para janë kritike; tërmeti i vitit 1999 la 17,000 të vdekur dhe më shumë se 40,000 të plagosur.

Shumë lutje të dëshpëruara në mediat sociale vijnë nga Hatay, një provincë në kufirin me Sirinë. Dihet se ky rajon është disident, jo besnik ndaj regjimit. Disa besojnë se mungesa e ndihmës për qytetin është hakmarrje politike. Në vendet që nuk e kanë përjetuar autoritarizmin siç e ka përjetuar Turqia, është e vështirë të kuptohet niveli i armiqësisë që një qeveri e tillë do ta ndiente ndaj popullit të saj nëse është kështu. Mirëpo, një gjë e tillë nuk është e paimagjinueshme për Turqinë. Kjo është arsyeja pse kryetarët e bashkive dhe politikanët e partive opozitare tani po e ndihmojnë njëri-tjetrin në vend që t’i presin organizatat shtetërore.     

Mungesa e besimit te qeveria qendrore është aq e thellë saqë ata që duan të dhurojnë para po u drejtohen organizatave civile dhe jo atyre zyrtare. Kjo është arsyeja pse Ahbap (ose Shoqata Mate), një kolektiv i themeluar nga ylli i rrokut Haluk Levent, duket të jetë mënyra më efektive për të ndihmuar. Që nga tërmeti, Ahbap ka qenë duke e koordinuar ndihmën dhe duke iu përgjigjur thirrjeve për shpëtim. Koduesit turq kanë krijuar aplikacione që i listojnë kërkesat e shpëtimit për t’i ndihmuar organizatat civile. Qytetarët sjellin ushqim dhe furnizime të tjera direkt në bamirësi. Njerëzit i thonë njëri-tjetrit të njëjtën linjë: “Ne nuk kemi shtet. Ajo që kemi, jemi vetë ne”.

Dikush mund të mendojë se asgjë nuk mund të jetë më e dhimbshme se një fatkeqësi si kjo. Por populli turk e di se është më e dhimbshme ta dëshmosh dështimin dhe korrupsionin e shtetit në orën më të errët të kombit. Në një vend ku tërmeti është një rrezik i përhershëm, buxheti i Presidencës së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave, i destinuar për situata si kjo, është rreth 14 herë më i vogël se buxheti i Drejtorisë së Çështjeve Fetare. Megjithatë, në vend që ta pranonte këtë dështim, ditën e tërmetit, udhëheqësi i drejtorisë fetare shkroi në Twitter se një lutje vdekjeje (sela) do të këndohej nga të gjitha xhamitë në vend – kur njerëzit ishin ende të varrosur nën rrënoja, të gjallë por të dëshpëruar për ndihmë. Në përgjigje, një përdorues i Twitter-it shkroi: “Do të hyni në histori si qeveria që i bëri njerëzit t’a dëgjojnë lutjen e tyre të vdekjes kur ata po luftonin për jetën e tyre”.

Më e dhimbshme se një fatkeqësi e madhe natyrore është të dish se fjalët e tyre janë të vërteta. Shpresa jonë e vetme është që pas kësaj tragjedie, e keqja që po dëshmojmë do të varroset gjithashtu në rrënoja./Newstateman

Ece Temelkuran është autore e “Si të humbasësh shtetin”. Puna e saj më e fundit është “Së bashku: Një Manifest kundër botës së pashpirt”.

 

Përgatiti: Nuhi Shala