Fehmi Kupina nga LDK, i vetmi kandidat i propozuar për kryesues të Kuvendit të Prishtinës

Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka nisur seancën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit Komunal.

Deri më tani është propozuar vetëm një kandidat për kryesues të Kuvendit Komunal.

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka propozuar Fehmi Kupinën si kandidat për kryesues të Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje si partia me më së shumti asamblistë ka vendosur të mos propozojë askënd për kryetar të Kuvendit.

Partitë tjera po ashtu nuk kanë dhënë ndonjë propozim për kandidatë që synojnë kryetarin e Kuvendit.

Sipas ligjit për vetëqeverisje lokale, nga 50 asamblistë, kandidati i propozuar duhet të marr së paku 26 vota për të marr detyrën.

Sot është afati i fundit për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal, në të kundërt asambleja shkon më zgjedhje të reja.

Nga LVV kanë deklaruar se nuk do bllokojnë punën në Kuvend dhe do rrinë në seancë.

AKR-ja janë deklaruar se kanë një marrëveshje me LDK-në, derisa thonë se marrëveshje është arritur edhe me PDK-në për ndarje të pesë drejtorive.

Gjithashtu komuna do ketë katër asamblistë të ri në vend të Përparim Ramës, Alban Zogajt, Arben Vitisë dhe Daut Haradinajt të cilët kanë hequr dorë nga këto pozita.