Presidenca e Shqipërisë. Foto: Zyra e Presidentit
Fati i Gjyqtares së Dënuar për Korrupsion në Dorë të Presidentit
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili drejtohet nga Presidenti i Republikës, i kërkoi institucionit të Presidentit të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Gjykatës së Lartë Majlinda Andrea – e dënuar në qershor për kurrupsion.
“Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi sot, më datë 17.07.2017, mbledhjen plenare, e cila nisi me diskutimin e kërkesës së Kryetarit të Gjykatës së Lartë për fillimin e procedurave për deklarimin e përfundimit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës së Lartë zj. M.A,” tha KLD në një njoftim për shtyp të hënën.
“Në përfundim të diskutimeve, anëtarët e Këshillit vendosën t’ia kalojnë për shqyrtim këtë çështje, Presidentit të Republikës,” shtoi ai.
Gjyqtarja Majlinda Andrea u dënua në qershor me 4 vjet burg – vendim i cili do të zbatohet në shërbim prove – pasi u shpall fajtore për veprën penale të korrupsionit pasiv. Gjykata e Lartë vendosi gjithashtu që Majlinda Andrea të mos ushtrojë funksione publike për 5 vitet e ardhshme. Bashkëshorti i saj, Odhise Andrea u dënua me 1 vit e gjashtë muaj burg për të njëjtën vepër penale si dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5 vjeçare.
Të dy bashkëshortët i kanë mohuar akuzat gjatë procesit gjyqësor.
Ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë dhe bashkëshorti i saj u hetuan dhe u shpallën fajtorë për marrjen e 50 mijë eurove ryshfet nga një palë ndërgjyqësuese, e cila ndodhej në një proces gjyqësor për një sipërfaqe toke prej 40 hektarësh në zonën e Butrintit në Sarandë.
Korrikun e kaluar, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se gjyqtarja Andrea dhe bashkëshorti i saj, i cili në atë kohë ishte zyrtar i Kuvendit të Shqipërisë kishin përfituar shumën e parave në këmbim të një vendimi të favorshëm gjyqësor.
Gjatë fazës së hetimeve, Prokuroria kërkoi në Gjykatën e Lartë masë sigurie për të dy bashkëshortët, por ky informacion dyshohet se u dekonspirua për shkak se të dy ata ndodheshin jashtë vendit në kohën që policia shkoi t’i arrestonte.
Majlinda Andrea u kthye në Shqipëri disa ditë më vonë, ndërkohë që Gjykata e Lartë dha në ngarkim të saj masën e sigurisë “pezullim nga detyra”, gjë që i mundësoi të ndiqej në gjendje të lirë. Bashkëshorti i saj Odhise Andrea u vetëdorëzua në polici gjashtë muaj pasi qe shpallur në kërkim.
Majlinda Andrea është gjyqtarja e parë e Lartë që dënohet me akuzën e korrupsionit.